Op-ed

Kur gruaja të mbron deri në grisjen e fundit…

Nga  | 

13187764_10208886625860880_2012510624_n

Nga Silvi Bakiri

 

Rasti i Shukri Xhelilit, i cili doli zbuluar përballë opinionit publik shqiptar nëpërmjet një video-spiunimi prej një 20-vjeçareje të presionuar rregullisht për një vend pune, është edhe një herë tregues se sa më e lehtë është për “burrin” të kalojë lumin në sytë e botës duke përdorur si barkë shpëtimi gruan a bashkëshorten e tij. Tefta Xhelili ka deklaruar për mediat se do ta mbështesë deri në fund bashkëshortin e saj, pavarësisht gjithçkaje.

Nëse do të donim të ruanim një sens drejtësie dhe racionaliteti mbi ngjarjen që ndodhi, është e qartë se ish-Kryetari i Bashkisë kishte ca kohë që shfrytëzonte detyrën e tij për të bërë kontrata reciprociteti të tipit: “Unë punën, ti…”. Videoja e transmetuar ishte pra, qershia mbi tortë e situatës që riciklohej në forma të ndryshme prej shumë kohësh. Aty shihej qartësisht situata e trishtë e një vajze të re në kërkim të një pune, në një qytet të vogël, ku të gjithë njohin të gjithë.

Anisa Alla ishte vetëm njëri ndër qindra rastet kur situata e gruas në Shqipëri përcaktohet nga fakti nëse atij që është bash në krye të një institucioni publik do t’i mbushet mendja mjaftueshëm për t’i dhënë një shans rekrutimi aplikantes. Marë-dhënia është e qartë dhe nuk do shumë mend për t’u kuptuar! Ajo që të bën përshtypje, pas kësaj ngjarjeje të rëndë, është përshkallëzimi zvogëlues i gjykimit të Xhelilit nga publiku; në mediat sociale por edhe gjetkë. Gjithçka nisi me një vrull shfryrjesh që natyrshëm, ishte më e pakta që mund të ndodhte me rastin në fjalë, vazhdoi me një valë parodizimesh anëekënd rrjetit dhe siç cikli i jetës së kësi ngjarjeve, po vjen në një pikë përmbylljeje dhe harrese, me lajme të fundit që tregojnë shokun e kaluar prej Shukriut, deri në tentativë për vetëvrasje…

Meqë, si pothuajse në çdo situatë të ngjashme në vendin tonë, në fund është “viktima” që fajësohet dhe fajtori që viktimizohet, është sigurisht e nevojshme që të rishohim faktet dhe të japim një gjykim racional që të mund të rikthejmë ekulibrat e nevojshëm. Situata e ndodhur, edhe në këtë rast, e ka humbur diku, si gjithnjë, fillin e realitetit duke iu dorëzuar mentalitetit poshtërues ndaj më pak të fortit ose poshtërimit deri në zenith të palës “së fortë” nga “të dobtit”. Për fat të keq, në këtë ngjarje me dy personazhe protagonistë, pala më e neglizhuar dhe e vendosur në këtë skenar si personazh periferik në rol mbështetës, është bashkëshortja e Shukri Xhelilit, Tefta.

Ajo pranoi gjithçka dhe zgjodhi ta interpretojë ngjarjen si sulm politik! Sipas të gjitha gjasave, Tefta Xhelili e ka ndjerë gjithë këtë si kërcënim ndaj të ardhmes së familjes së saj. Sipas gjykimit të saj, nderi i bashkëshortit/familjes duhej paguar me çdo kusht, edhe sikur çmimi të ish dinjiteti i saj personal. Si rezultat, “krimi” i abuzimit ndaj një vajze të re duke shfrytëzuar postin glorifikohet si “sulm politik” nga ku familja Xhelili del gjysmë e larë dhe e lartësuar ndërsa vajza “viktimë” e Shukri Xhelilit, dhe jo e politikës siç e cilësoi gruaja e tij, për një çast vishet me një lloj tjetër viktimizimi: viktimizim prej abuzimit të politikës me të, dhe jo të Shukriut me të. Ekspansioni i fajit në këtë mënyrë zvogëlon përgjegjësinë individuale me emrin Shukri dhe bën me faj struktura politike, pa emër…

Ajo që nuk mund të anashkalohet është fakti se kjo qasje kaq lehtësuese e një bashkëshorteje, jo vetëm që dekriminalizon gjestin e burrit të saj, por, ‘kriminalizon’ çdo vajzë e grua që gjendet në të njëjtat kushte. Dhe jo vetëm kaq! Kjo mbrojtje publike kaq e fortë, shushkëzon çdo bashkëshorte, çdo grua e çdo nënë.

Mbrojtja e gruas është megjithatë njëfarësoj e justifikuar, por jo e drejtë! Kjo është ajo që nuk duhet të bëjnë më gratë e familjeve shqiptare. Ato duhet të kenë kurajon të dalin nga roli bashkëpunues gjer në vetëmohim, nga ngrënia e turpit me bukë dhe nga presioni absurd shoqëror. Kërcënimet me jetë duhet të mos i shkojnë më viktimave të vërteta, por, të jenë Shukrinjtë ata që të mos gjejnë dot vrimë ku të futen. Dhe këtu është shteti që ndërhyn e vendos!

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares