Letrart

Ndonjëherë, pengesë për gratë janë vetë gratë!

Nga  | 

beti njuman (1)

S. 1. Cili ka qenë libri të cilin kur e ke lexuar je ndjerë më e rritur? Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje te ky libër?

Beti Njuma:

Çdo libër që lexon të rrit nga pak, të përmirëson, të ndërgjegjëson, të fut në shtjella reflektimesh që as i kishe menduar më parë. Që prej fëmijërisë shtëpia ime ka qenë si magazinë librash, me një mori titujsh. Kuptohet, nuk i kam lexuar të gjithë, ama janë disa që kanë lënë gjurmë tek unë, që ndjej se më përkasin, sepse jam zhytur brenda tyre, kam jetuar me personazhet dhe jetët e tyre, që dora-dorës bëhen edhe jeta jote, marrin zërin tënd dhe bëhen pjesë e jotja përgjithmonë, bashkë me krijuesin e tyre. Një syresh ka qenë “Harku i Triumfit” i Remarkut. E kam lexuar në klasën e tetë dhe nga kapaku shumë i vjetëruar dhe moria e nënvizimeve që kam bërë, nuk e ke të vështirë ta marrësh me mend sa herë e kam lexuar e rilexuar atë libër. Nuk jam fort në gjendje ta përcaktoj pse më ka pëlqeyer aq shumë, mua dhe shumë lexuesvve të tjerë. Ndoshta ka qenë koha kur u botua, fundi i viteve 80-të, mbase etja e shqiptarëve për të lexuar në atë shkretërirë botimesh e përkthimesh të ndaluara dhe padyshim; përkthimi i mrekullueshëm i Robert Shvarcit, ato që e shndërruan këtë roman në një vepër kult, të dashur e të pazëvendësueshme për shumë breza lexuesish, edhe sot e kësaj dite, ndonëse letërsia botërore nuk e ka kurorëzuar asnjëherë Remarkun si “shkrimtar të madh”.
Sot ka një mori romanesh të përkthyer në shqip por vështirë që ndonjëri prej tyre të fitojë statusin dhe popullaritetin e “Harku i Triumfit. Në leximin e parë më ka interesuar historia pasionante mes Ravikut dhe Xhoanës në Parisin e ëndrrave, ndarja e trishtë dhe e pashmangshme, fataliteti i ndjekur nga vdekja e saj tragjike, që me leximet e tjera ngjanin si çikërrima e kaluan në plan të dytë krahasuar me sfondin e përgjakshëm të luftës dhe dramën që mbolli anekënd Europës.

2. Cili ka qenë libri që do ta konsideroje si “të pamundur” për t’u kuptuar: më mirë të mos i futesh fare…

Me siguri ndonjë libër për matematikën apo fizikën! ( Qesh ). E kam pasur pisk punën me të dyja, përndryshe nuk do i kisha hyrë studimeve për letërsi. Nuk besoj se ka letërsi të pamundur për t’u lexuar, mendoj se ka disa autorë apo vepra që konsiderohen si Evereste letrare, të vështira, monumente të palexueshme, të errëta apo që i takojnë vetëm një elite intelektuale. Ndonjëherë të spraps vëllimshmëria e tyre, të tremb narrativa e vështirë, struktura e veprës, regjistrat e ndryshëm, forma eksperimentale e të shkruarit, një tërësi arsyesh të cilat kushtëzohen nga koha që ke në dispozicion për të lexuar, gatishmëria dhe impenjimi që vë. Ka disa vepra që i kam nisur dhe nuk i kam përfunduar, por kjo ka ndodhur ngase nuk më kanë pëlqyer. Në leximet poshtë çadrës për këtë vit i kam vënë vetes detyrë të lexoj Uliksin e Xhojsit. Ka shumë vite që rri në një vend të dukshëm të bibliotekës dhe pret që ta marr në dorë, kësaj here jo vetëm për shfletim.

3. Ç’libër duhet të lexojë patjetër një “madame”?

Mendoj se koha e recetave letrare, apo e imponimit të leximit si detyrë apo nevojë për të treguar një farë elitarizmi, më duket pak demode. Në kushtet kur buxheti i individëve për të blerë libra është reduktuar, çmimet janë rritur. Kur bibliotekat janë pakësuar, mësueset e kanë humbur magjinë e yshtjes dejt leximit dhe kur ka një mal me probleme; më së shumti në Shqipëri, flitet për mbijetesë të librit dhe pak shihet aspekti i librit si komunikim shpirtëror. Njerëzit e kanë humbur intimitetin e leximit, prandaj së pari, unë e shoh librin si një dashuri që duhet ripërtërirë. Floberi thotë: Lexoni për të jetuar! Të tjerë pas tij kanë shtuar: Lexoni për t’u informuar, për t’u zbavitur, për të njohur më mirë të tjerët dhe veten, për t’i dhënë kuptim jetës. Një madamë duhet t’i lëxojë të gjithë ata libra që i përmbushin këto kritere

beti njuman (2)

4. Kush jane tre madama- shkrimtare apo gra që të frymëzojnë me jetën dhe veprën e tyre?

Vetëm një: Oriana Fallaci! Një grua e fuqishme, një shkrimtare jashtëzakonshme, një reportere që e shndërroi gazetarinë nga profesion në një privilegj, një personalitet që la gjurmën e saj në histori e që pavarësisht qëndrimeve radikale nuk mund të mos e respektosh, admirosh e madje ta duash fort. Është një figurë e papërsëritshme, një rebele që sfidonte me fjalët e saj, një grua që si rrallëkush rendi pas të vërtetës dhe dashurisë. Një Penelopë në luftë, si romani i parë që ka shkruar e të cilin kam pasur fatin dhe kënaqësinë ta sjell në shqip.

5. Cili është libri që të ka tronditur?

E kam thënë diku dhe po e përsëris: Dy librat që më kanë tronditur, ndoshta edhe nga mosha e njomë kur i kam lexuar, kanë qenë “Lolita” e Nabokovit dhe “Femrat” e Bukovskit. Seksualiteti dhe pedofilia, tragjedia e një burri që dashuron një fëmijë dhe drama e një tjetri të dënuar me kënaqësi fizike por asnjë grimë kënaqësi shpirtërore. Pastaj u rrita dhe s’mbaj mend të kem lexuar diçka më pështjelluese e mbresëlënëse se kaq. Kemi qenë brez më naiv, me shumë tabu, me shumë paragjykime, më i mbyllur, dhe na mungonte ai akses informacioni që kanë të rinjtë e sotëm. Nuk e di nëse tani mund të flitet ende për “libra tronditës’! Realiteti ia kalon çdo fiksioni.

beti njuman (3)

6. A ka sot nevojë për letërsi feministe?

Nuk më pëlqejnë ndarjet gjinore, aq më tepër në letërsi. Besoj se gratë janë një grupim po aq i veçantë sa dhe burrat. Nuk janë më seksi i shpërfillur i njëherë e një kohe dhe as duhen trajtuar si qenie të tilla. Refreni i madh që ka shkundur gratë e globit janë fjalët: emancipim dhe progres! Mjafton që me këto fjalë të mos abuzohet, apo siç thotë Fallaci: “Gratë të mos e mbushin gojën me to sikur të ishin çamçakëz”. Sigurisht, kudo ka një dominim të meshkujve, por, sot femrat janë të çliruara, shumë më të emancipuara, më pak të nënshtruara dhe skllave të maskilizmit. Madje, mendoj se ndonjëherë pengesë për gratë janë vetë gratë.
Letërsia feministe lindi si një nevojë për t’iu kundërvënë dominimit mashkullor edhe në fushën e letrave, dhe mendoj se i shërbeu qëllimit për të cilit lindi. Në këtë kuptim, them se gruaja tani nuk ka më nevojë për lëvizje ideologjike apo letrare për të konfirmuar vetveten.

beti njuman (4)

7. I kthehesh një libri për ta rilexuar si një dashurie të vjetër?

Përgjithësisht u kthehem poezive. Ato i lexoj dhe i rilexoj shpesh. Ndërsa romaneve jo sepse nuk kam kohë. Siç thashë më sipër, janë disa libra të shtrenjtë që i kam lexuar në adoleshencë dhe u rikthehem herë pas here, por vetëm duke lexuar pjesë të ndryshme, veçanërisht ato që kam nënvizuar. Tani që po rriten fëmijët u jam rikthyer librave të fëmijërisë. ( Qesh ) Lexojmë bashkë Çufon, Jeronim Stilltonin ose Tom Sojerin, Xhim Kopsën apo aventurat e Baronit Mynhauzen. Është një kënaqësi më vete! Madje, e rekomandoj si terapi antistres.

beti njuman (5)

Për Madame Mapo, Silvi Bakiri

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares