Dukje

Stop feminizmit hardcore/ ose “Rihanizmit”

Nga  | 

rihanna-bitch-video

E keni parë klipin e fundit të këngëtares Rihanna? Kush s’e ka parë, bën mirë të mos e shohë! Jo se nuk e kishim vënë rë tendencën agresive- vrastare të këngëtares edhe në klipe të hershme si përshembull te kënga me titull: “Man down” por, te “Bit*h better have my money”, tendenca përkeqësohet aq sa ky klip ka ngjallur debat për mënyrën e egër se si këngëtarja “torturon” duke e lidhur në litar një grua tjetër e në fund pasi e ka vrarë atë, shfaqet e përlyer në gjak, shtrirë mbi një valixhe me dollarë. E gjitha është: një hakmarrje e skicuar në detaje kundrejt “shemrës”.

Ky klip të kujton paksa edhe përpjekjen e këngëtareve shqiptare, të tipit të Dafina Zeqirit, për të promovuar një model të ri gruaje: gruaja burrërore, pa asnjë shenjë brishtësie, që nuk “tutet” edhe të të shkelmojë apo edhe më keq, kur nuk pëlqen diçka te burrat apo gratë e tjera. Unë vetë këtë do ta quaja: “gruaja gangsterre”; ajo që pështyn në tokë kur i vjen për të pështyrë apo së cilës i hanë vazhdimisht duart për sherr. Ky model, që nga videoklipet shqiptare e të huaja mund të ngjajë edhe seksi, në fakt, jep një mesazh krejtësisht të gabuar për publikun; i cili në rastin më të mirë mund të shtrembërojë krejtësisht konceptin e feminizmit, e në rastin më të keq mund të bëjë që brezat që rriten, sidomos vajzat, të përngjajnë diku me “Vajzën me tatuazh dragoi” e diku tjetër me Rihanën në klipet e saj.

Duke menduar se ngjashmëria me seksin e kundërt, na bën më të “afërt” me ta, marrim kështu disa “privilegje” bonus të cilat gruas “normale”: që është grua, mendon si njeri dhe vepron si njeri por, edhe sjell në jetë fëmijë, nuk i shërbejnë për pothuajse asgjë. Këtu do të vija me dëshirë te shprehja e de Beauvoir- it: “Gruaja që kërkon të jetë e barabartë me burrin, nuk ka ambicje.” Nëse ngjashmëria me burrat kthehet në qëllim, atëherë “kapërcimi” i defekteve të tyre bëhet i pamundur dhe vetë gruaja kthehet me dashje në skllave të zakoneve mashkullore, duke mos e kalitur aspak anën e saj njerëzore që pak ka të bëjë me “burrninë”.

Rihanna, një këngëtare e lindur në një vend ku të jesh grua nuk është as sot e thjeshtë, e aq më pak grua e suksesshme në mbarë globin, përtej motiveve komerciale, duket se e ka gjetur muzikën e saj si terren “paqeje” të dhunës së pësuar prej ish të dashurit, Chris Brown, por, edhe për shkak të ngjyrës së lëkurës e cila e bën më të dhunshme në qasje me gjininë e kundërt, që është gjithashtu më e dhunshme se “të bardhët”. Videoklipi i fundit është një gjymtim i asaj që duhet të jetë feminizmi! Ai është gjymtim i  thelbit njerëzor të gruas, larg surrogatos së burrnimit të saj që sjell për pasojë zhburrnimin e burrave dhe pra; më pranë modelit “të gangsterres”.

Rihanizmi, siç quhet tashmë trendi i ri që këngëtarja nga Barbadosi ka sjellë, është i rrezikshëm për idetë e çuditshme që mund të mbjellë te brezi i ri por, edhe për mesazhet e dhunshme që përcjell ndër gra të mbytura me realitete mashkulliste, si ai shqiptar. Nëse brezi i sotëm i 14- 18 vjeçarëve ushqehet me video të tilla, raportet gjinore mund të shndërrohen për keq; nga njëra anë gratë mund të bëhen rrezik për shoqërinë, më keq seç kanë qënë burrat deri më sot dhe po ashtu burrat mund të tulaten e femërzohen aq shumë saqë të gjitha “detyrat” femërore e mashkullore bashkë mund t’i mbarten gruas.

E gjitha kjo, nëse vetëm e imagjinojmë për pak është e dhimbshme dhe e panevojshme, sidomos kur shoqëri të përparuara përsa i takon dallimeve gjinore, na mësojnë se gratë mund të mbeten fare mirë gra e të trajohen si njerëz e po ashtu edhe burrat mund të mbeten të tillë.

S.

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares