Pyetje-Përgjigje

Pro apo Kundër legalizimit të prostitucionit në Shqipëri?

Nga  | 

Pyetje: A mendoni se duhet legalizuar prostitucioni në Shqipëri?

Përgjigje nga pjesëtarë të grupimit Feminizmi Shqiptar

Aurora Birbilaj: Mendoj se njohja dhe institucionalizimi i çdo fenomeni tregon emancipim. Përjashtimi ligjor flet vetëm për një sistem që nuk është në gjendje të emancipohet në të njëjtin ritëm me shoqërinë. PRO

Donika Gashi: Në një shtet ku ka shumë pak rregull dhe sundim, ligji mundet me qenë shumë problematik përpos tjerash. Në vendet ku prostitucioni është legal ka shumë rregull dhe kontrolle për këtë punë. Në Shqipëri kjo do të ishte legalizim i krimit… Duhet kohë me ardhë Shqipëria në pikën ku mundet me legalizu diçka të tillë. KUNDËR

Florin Nela: Mendoj se do të këtë disa anë pozitive. Do ulej numri i përdhunimeve dhe inçesteve. PRO

Erisa Hysi: Për aq kohë sa është një zgjedhje dhe nuk krijon varësi duke dëmtuar shëndetin, pse mos të legalizohet. PRO

Visare Berisha: Është gjëja e fundit që mund të bëhet. Prostitucioni, transplatimi i organeve, janë shumë herët të diskutohen, duke marrë parasysh që Shqipëria dhe Kosova me sundimin e ligjit nuk janë askund. (Mund të keqpërdoret) KUNDËR

Marsela: Unë mendoj se një ligj që legalizon prostitucionin nuk mjafton në Shqipëri sepse si gjithë ligjet e tjera nuk do të aplikohej. Por, jam pro legalizimit të prostitucionit për faktin se është e drejta e gruas të vendosë për trupin e saj duke iu larguar në këtë mënyrë shfrytëzimit nga tutorët. Pagimi i taksave dhe kurat e kontrollet konstante mjekësore janë disa anë të tjera pozitive. PRO

Lumi Hoxha: Pse jo legalizimit të prostitucionit. Së paku, dihet se ku do punojnë ata që janë të interesuara të merren me këtë “zanat”. Do jenë të kontrolluara, do kenë të ardhura të siguruara (do paguajnë taksa e pensione), do kenë vende përkatëse e rrugë të tyre ku do jenë të mbrojtura nga shteti. S’do kenë tutor mbi kokë që t’i keqpërdorë në mënyra të ndryshme… PRO

Dorina Bebja: Mendoj se po. Së pari, sepse i bën mirë shoqërisë sonë të dalë nga frustrimi seksual. Një shoqëri e frustruar seksualisht mbjell probleme në të gjitha aspektet e shoqërisë. Së dyti, marrëdhëniet do të kryhen të kontrolluara nga ana mjekësore si edhe nga pikëpamja e transmetimit të SST-ve. Të ardhurat e femrave që do të ushtrojnë këtë profesion do jenë të siguruara, pra mund të përfitojnë pension kur të vijë momenti. Dhe mendoj se do të jenë të mbrojtura nga ligji për çdo dhunë që ushtrohet mbi to. Pra në një farë mënyre do të ketë më tepër respekt për trupin e femrës. PRO

Lindita Gerdeci: Janë disa gra, që janë për barazi dhe pranojnë prostitucionin. Prostitucioni nuk është zanat, por thjesht kurth i patriarkatit. Por, po, duhet një ligj që të taksojë klientët. Skllavërimi i trupit të gruas nuk është punë. Në Francë, një pjesë e madhe e shoqatave janë për gjobitjen e klientit. E ardhmja e vajzave shqiptare është në pikë të hallit. Vetëm gratë mund ta ndryshojnë këtë, jo burrat. KUNDËR

Edona Salaj: Një JO të madhe. Në një vend si Shqipëria nuk duhet të bëhet. Por edhe në vende të tjera që e kanë këtë ligj, nuk është ulur numri i viktimave të trafikimit, as keqtrajtimi i prostitutave. Thjesht janë maskuar dhe u është dhënë mundësi më e mirë trafikantëve të mos përndiqen nga policia. Në Shqipëri duhet një ligj që të dënojë klientët sepse kur këta janë në dijeni që vajza është viktimë trafikimi, nuk denoncojnë. KUNDËR

Marsi Simo: Nga këndvështrimi feminist, prostitucioni e thellon etiketimin që vajzat dhe gratë shihen si objekt seksual. Për sa kohë do mendojmë pro prostitucionit, njëkohësisht po mendojmë që jemi në një shoqëri patriarkale ku marrëdhëniet seksuale konsiderohen tabú, virgjëria është primare, si edhe disa gjëra nuk bëhen me bashkëshorten por me prostitutën! KUNDËR

Erisa Kreshpa: Mendoj se po, pasi jemi një shoqëri tepër e frustruar seksualisht. Veç uroj që të këtë shumë rigorozitet, se në Shqipëri ligjet janë por nuk zbatohen siç duhet. PRO

Juliana Marko: Jo. Le të vazhdojmë të ngulmojmë në ndalimin e trafikimit, dekriminalizimin e prostitucionit, dënimin e abuzimit me njerëzit. Shqipëria është e mbushur me skllave dhe skllevër të legalizuar: punonjëse seksi e shërbëtore pa pagesë për burrat e tyre, apo rob/robinja që bëjnë në call centers shumë më tepër turne nga ç’e lejon çdo studim në këtë lëmë, njerëz të pambrojtur e të pasiguruar nga pikërisht ai biznes që promovon një fushë të re biznesi. Si nuk kuptojmë që nuk bëhet fjalë të jesh pro apo kundër legalizimit të prostitucionit?! Bëhet fjalë për kontekstin. KUNDËR

Alba Ahmetaj: Prostitucioni nuk është fenomen vetëm femëror. Ka edhe burra që e bëjnë ose duan ta bëjnë. Jam shumë pro, por me rezerva për Shqipërinë. Gjithsesi mendoj se të mirat materiale dhe shëndetsore nuk do të jenë vetëm të grave dhe burrave që do zgjedhin këtë profesion, por edhe të shtetit. Nëse nuk legalizohet, sado ligje të hartojë shteti shqiptar, prostitucioni do ekzistojë, dhe me të gjithë fenomenet negative si trafikimi, përdhunimi, shfrytëzimi etj. PRO

Linda Libelle: Kam qenë dhe do të jem kundër prostitucionit. Është mënyra më e ulët me të cilën mund të shfrytëzohet një individ. Nuk ka asnjë arsye pse u dashka të ekzistojë e jo më të lejohet e më pas të legalizohet. Objektifikimi i individit, sidomos i gruas, është pasojë fatale e prostitucionit. Prostitucioni nuk është profesion, as punë. Është gjëmë. Përderisa ekziston mundësia për t’u masturbuar pse flitet ende mbi këtë temë?! Duhet të dënohen klientët dhe tutorët. KUNDËR

Ollga Mato: Jam kundër prostitucionit si profesion/zanat apo biznes. Megjithatë, në shoqëri ku seksi ka qenë i ndaluar nga ligji/feja/tradita është mirë që meshkujt të mos jenë të frustruar seksualisht. Por më duket e tmerrshme që të përdoren gratë. KUNDËR

Mirela Sala: Kur të vihen ligjet në përdorim në Shqipëri dhe të këtë barazi sociale, ndoshta mund të flasim jo për prostitucion, por për Sex Workers, tjetër koncept. KUNDËR

 

1 Comment

  1. Scodrensis

    Tetor 2, 2016 at 1:33 pm

    Një nga arsyet për mosmarrëveshjen ndërmjet prostitutave dhe qytetarëve është e lidhur me humbjen e “dekorit” të zonës ku prostitutat praktikojnë aktivitetin e tyre dhe problemet e rendit publik që prostitutat shkaktojnë në rrugë. Legalizim do të thotë që t’i bëjmë këto lagje të sigurta, duke përmirësuar jetën e prostitutave dhe të të gjitha familjeve rezidente.

    Avantazhi është në favor të grave që ushtrojnë këtë aktivitet (praktikojnë këtë zanat ose art nuk ka aspak rëndësi se çfarë fjalësh përdoren). Legalizim i prostitucionit do të thotë që të caktohen disa ndërtesa për t’u përdorur për këtë punë, duke shmangur kështu mundësinë që vajzat të qëndrojnë në rrugë në mëshirën e motit dhe të “padronëve” kriminelë dhe të klientëve shpeshherë të pasjellshëm.

    Heqja e prostitutave nga rrugët do të thotë që shitblerja e seksit të bëhet në mënyrë të pastër, praktike dhe higjienike. Të bëhet në një dhomë me të gjitha komfortet e nevojshme, e jo të bëhet në vende të papërshtatshme…

    Legalizim do të thotë që të njihet prostitucioni si profesion i barabartë me të tjerët, një profesion që rregullohet me norma e ligje të sakta dhe me mekanizma të tilla si pagesa e sigurimeve shoqërore për pension dhe përmbushja e detyrimeve tatimore, që janë të ardhura të konsiderueshme shtesë në arkën e shtetit (pra në dobi të komunitetit).

    Ngritja e shtëpive publike do ta bëjë më të lehtë punën për zbatimin e ligjit dhe të forcave të ruajtjes së rendit, të cilat në fakt duhet të ndërhyjnë vetëm në raste trazirash. Gjithashtu legalizimi do të lejojë më shumë kontroll në mënyrë që të mos shfrytëzohen gra të cilat nuk kanë dëshirë të merren me këtë aktivitet ose aq më keq femrat e mitura.

    Prostitutat janë infermieret e seksit. Ata i dhurojnë shoqërisë gëzim e kënaqësi. Puna e tyre e palodhshme gëzon meshkujt nevojtarë, të ndrojtur ose ata që janë të frustruar, etj. dhe ul përqindjen e përdhunimeve dhe të keqtrajtimeve ndaj grave.

    Arsyeja e fundit e bazuar në kodin civil është se kushdo mund të bëjë çfarë ti teket me trupin e vet (pa i shkaktuar dëme vetes dhe të tjerëve kuptohet) e detyra e shtetit është që të mbrojë nënshtetasit e jo të shtiret sikur i ndihmon për hir të një morali që nuk ekziston (prostitucioni në fakt ushtrohet dhe është ushtruar qysh se ka lindur bota). Çdo shtet duhet të mbrojë kryesisht femrat, e nuk duhet të lejojë që disa femra me hir ose me pahir të shfrytëzohen e të keqtrajtohen (jo sepse femrat janë më të dobëta por sepse ata që e pengojnë ligjin pro prostitucionit në fakt “e lejojnë në mënyrë të paligjshme”).

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares