Lajmi i Ditës

Dylan pranon i emocionuar çmimin Nobel

Nga  | 

Bob Dylan pranon çmimin Nobel në Letërsi. Mesaduket, për të ishte krejt e papritur marrja e këtij çmimi.

“Vlerësimi më la pa fjalë”, u shpreh ai për fondacionin e Nobelit, pas heshtjes gjatë së cilës ai nuk bëri asnjë reagim.

Fondacioni ende nuk e di nëse Dylan do të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në dhjetor, sipas “Daily Telegraph”. Por, ai ka konfirmuar se këngëtari do të tërheqë çmimin personalisht nëse kjo do të jetë e mundur.

“Është e vështirë për t’u besuar… Kush do kishte ëndërruar për diçka të tillë”, ka thënë Dylan.

Këngëtari mori Nobel më 13 tetor duke iu njohur merita për krijimin e shprehjeve poetike në traditën e madhe të këngës amerikane. Heshtja pas marrjes së këtij çmimi shkaktoi habi te publiku artdashës, duke aluduar se kjo sjellje ishte e pasjellshme dhe arrogante.

Të premten, Dylan kishte telefonuar Sara Danius, sekretare në akademinë suedeze dhe ishte shprehur se ndihej shumë i vlerësuar për nderimin.

 

Gjithçka që dua të bëj

Me ty të konkurroj nuk kërkoj,

ty të të mund apo të keqtrajtoj, të të thjeshtoj apo të të klasifikoj,

të të mohoj, sfidoj apo të të kryqëzoj,

gjithçka që dua të bëj, e dashur,

është të jem miku yt!

 

Jo, dhe s’po kërkoj me ty të zihem,

të të frikësoj apo të të sikletos,

të të tërheq zvarrë apo të të mbys,

të të lidh apo të të fundos,

gjithçka që dua të bëj e dashur,

është të jem miku yt!

 

S’po kërkoj të të bllokoj,

të të trondis, përdhe të përplas apo të të prangos,

të të analizoj, ty të kategorizoj,

të të përfundoj apo të të ekspozoj,

gjithçka që dua të bëjnë dashur,

është të jem miku yt!

 

Nuk dua me ty të përballem,

Të garoj apo të të ndjek, të të kap apo të të gjurmoj,

të të poshtëroj apo të të syrgjynos,

të të përcaktoj apo të të kufizoj,

gjithçka që dua të bëj e dashur,

është të jem miku yt!

 

Fisin tënd s’dua ta njoh,

ty të të bëj gropën apo vërdallë të të sjell,

të të përzgjedh apo të shpërbëj,

të të inspektoj apo të të refuzoj,

gjithçka që dua të bëj e dashur,

është të jem miku yt!

 

Nuk dua të të mashtroj,

nga ty të përfitoj, të të shkund e të të harroj,

nuk pres që edhe ti si unë të ndjehesh,

si mua të shohësh e të jesh njësoj.

Gjithçka që dua të bëj e dashur,

është të jem miku yt!

Bob Dylan

Shqipëroi: Edvin Shvarc

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares