Psikologji

A mundet të jemi të lumtur? Si?

Nga  | 

298892_2406140679864_1441568787_2799366_5859370_n

Nga Meri Dishnica (Psikologe)

 

A mundemi të tejkalojmë veten dhe komplekset tona dhe të mund të jemi të lumtur me ato që kemi, me ato çfarë jemi… ? A mundemi të shohim përreth pa ndjerë zili, të gëzohemi çiltërsisht për sukseset e të tjerëve dhe të mund të buzëqeshim natyrshëm e me gjithë shpirt?!

Jo, nuk mundemi… dhe ne të gjithë e dimë pse… Jemi njerëz, dhe jemi  “të vegjël”… Por po, ne mund të jemi idiotë që kërkojmë lumturinë në distancë, në të ardhmen që duam të kemi, dhe deri atëherë ndalojmë së jetuari/shijuari, ndalojmë së qeni vetvetja, teksa bëhemi pjesë e planit tonë. Preferojmë të luajmë rolin (atë rol që ne e luajmë shumë mirë, është ajo buzëqeshja e shtirur që thamë më lart).

Njerëzit kanë prirje të ndërlikojnë nocionin e lumturisë dhe të mendojnë se rruga drejt saj kalon vetëm nga fustani i shtrenjtë i koleksionit të fundit, apo nga shtëpia e madhe në kodër me mobilje klasike të trashëguara nga gjyshi, apo nga verërat e shtrenjta nëpër festa të rezervuara…

Por, në të vërtetë, lumturia është në mendjen tënde dhe në mënyrën se si e drejton atë. Duke filluar të jesh i lumtur së pari me gjërat që ndërkohë i ke, duke kultivuar artin e marrjes së kënaqësisë nga gjithçka (madje edhe aty ku një njeri i përkëdhelur do të binte në depresion kot).

“Një tavolinë, një karrrige, një pjatë me fruta dhe një violinë, kaq duhet për të qënë i lumtur”, thotë Albert Einstein.

E ndoshta, ka të drejtë, sekreti është të gjesh lumturinë në realitetin tënd, pse jo edhe në gjërat e vogla që të rrethojnë. Gjërat mbeten gjëra, të vogla apo të mëdha, prandaj lumturia duhet kërkuar përtej tyre, sepse fundja gjërat më të rëndësishme në jetë nuk janë gjëra (apo janë…)

Njerëzit janë po aq të lumtur aq sa e mbledhim mendjen të jenë, prandaj dhe përkufizimi i lumturisë është shumë i vështirë, sepse është aq personal saç një mendim i fshehtë… Çarë e bën një njeri të lumtur, nuk i bën domosdoshmërisht të  tjerët të lumtur. Lumturia është relative; ajo që dikë e lumturon pa masë, dikë tjetër mund ta bëjë vetëm të buzëqeshë (me pahir). Pra, varet nga pritshmëritë që ka secili. Sikurse ka edhe shumë njerëz të palumtur në mënyrën e tyre…

Lumturia mund të prishet jo vetëm nga katastrofat dhe gabimet fatale, ajo zbehet ditë pas dite edhe nga thyerjet e vogla, një premtim i vogël i pambajtur, një harresë e vogël e përsëritur, një moskujdes i treguar, një vëmendje e vogël e munguar, këto sjellin palumturinë pak nga pak; ta ndalojnë hovin dhe të prishin humorin…

Kështu që, kujdes me gjërat e vogla, ato janë “detaji që duhet” dhe meritojnë gjithë vëmendjen dhe kujdesin tonë. Ne e kemi mundësinë t’i bëjmë gjërat e vogla të marrin vlerë dhe të na e përmirësojnë ditën.

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares