Personale

Fantazmat nuk rrinë më poshtë krevatit…

Nga  | 

13615331_10208145042802257_1019536352820370050_n

Nga Mimoza Krasniqi

Ditën kur fillova ta shkruaj këtë mendim kisha kaluar duke pritur mbi një orë në kolonën e trafikut. Në karrigen pas meje, dëgjoja muhabetin mes dy burrave, të cilët flisnin për aksidentin që kishte ndodhur diku, përpara nesh.

“Po, po, femën, – po i thoshin njani-tjetrit. Po të kisha mund kisha me ia marr lejen e kerrit.” “A i ke pa aksidentet që bojnë?”- ia kthen tjetri.

Ndërsa unë, sapo kthej kokën për t’i parë fytyrat e këtyre dy njerëzve prej akulli, ata, si për inat, qeshin të dy.

Afër dritares së autobusit ishin dy vetura të modelit më të ri. Nuk e di se cila prej këtyre mjeteve të transportit ta sjell komoditetin e lumturinë, por, e di që brenda vetes ndjehesha shumë e lodhur, dhe se njeriut i kalon jeta duke pritur… – përveç Bukovskit, e them edhe unë.

Në mëngjeset e dimrit të ftohtë, autobusi ishte bërë dhoma ime e gjumit dhe shpesh, i lutesha Zotit të zgjatej rruga… Kisha nevojë për gjumë më shumë se për gjithçka tjetër, e aq më pak, për ligjëratat e profesorëve. Epo, në fund të fundit, gjumi është pa para.

Biblioteka më dukej si parajsa e kësaj bote, sepse çuditërisht, aty gjithçka harrohet.

Gjatë katër viteve studimi, unë i kisha falur gjithçka universitetit. E sot, i kërkoj falje vetes. Pas diplomimit, ëndërroja të gjeja një vend pune. Në një një konkurs të hapur, bashkë me mua, po aplikonin shumë e shumë djem e vajza. Shumë prej tyre, veshur me luksin e firmave më të njohura…

Hoqa dorë! As Zotit nuk iu luta me u pranu. Njerëzit e këtij vendi më kanë bërë që s’ka më nevojë, as Zotit me iu lut… Ata vendosin, ata sundojnë!

Nana ime më kish rrejt kur m’pati thanë: “Mos u tut prej fantazmave!” Ndërsa unë sot, po i them nanës: Nanë, fantazmat e vërteta nuk fshihen më poshtë krevatit apo në dollap. Ato mbajnë emrin njeri, dhe ekzistojnë.

Bota është e çuditshme. Ajo nuk ndalon as kur ti je e lumtur, as kur je e dëshpëruar. Ajo nuk ndalon; as kur ti lëshon britma prej gjoksi, por nuk dëgjohet asni za, as kur ti buzëqesh prej jashti. Bota nuk ndalon; as kur njerëzit që ti dikur i doje të vrasin, as atëherë kur thikat e armiqve të plagosin. As kur ata që të thanë se të duan të varrosin.

Kur shoqet e mia vendosën me u martu, unë ëndërroja duke i numëru paret e kursimeve, si me shku me prit perëdimin e diellit në Paris. Punë e madhe! Andrrat nuk vdesin, ato e mbajnë gjallë njeriun.

Është e pamundur me u bo e zonja e vetit, në një vend ku secili e konsideron veten zot të dikujt, duke fillu prej burrave të shoqeve të mia.

Rrugës pasi dal nga bibloteka, shoh një plakë… Ishte në moshë… Mbante në duar tri qese me gjësende. U afrova dhe e pyeta nëse mund ta ndihmoj. Ajo jo vetëm që pranoi, por mbeti e habitur. Më tregoi se kishte shumë nipër e mbesa, por asnjëri nga ata nuk e ndihmonte sepse iu vinte turp me i pa dikush me gjyshen, rrugëve të qytetit. Më pyeti se ku e kisha marr këtë kulturë, e unë çuditshëm, i thashë se as që e dija se ku. Nuk doja me i tregu që nana ime m’ka mësu me u sjellë mirë me krijesat e kësaj toke.

Edhe kjo e moshuar 80 vjeçare, më rrejti. Më tha se bota ka ndryshu. Jo, jo bota nuk ka ndryshu, ka ndryshu zemra e njerëzve. Sa më i vogël njeriu, zemra e madhe. Sa ma shumë që rritesh, zemra aq më e ngushtë.

Rrugës së qytetit, kur unë ndjehesha e humbur përballë gjithë atyre njerëzve, shihja edhe shumë vajza. Për krejt ato dukej sikur ma e rëndësishme se gjithçka është si me u duk mirë, apo me pa sa ‘like’ i ka marr fotoja e fundit në instagram.

A thu kaq e vogël është bota e tyne?! Ende s’e kam kuptu qysh është e mundur ky nivel i injorancës me arrit e me depërtu kaq shumë te vajzat e reja, kur ky vend ka nevojë për çika të kthjellëta, çika të forta…

Botë, ti mos ndalo!

Unë hoqa dorë.

Ma keni shpif ju me dashninë ndaj burrave nëpër komente.

Ma keni shpif edhe ju që suksesin e jetës e konsideroni martesen nën moshën 20 vjeçare.

Po heq dorë. Dhe kaq.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares