Personale

Rikthimi tek Luna plot jetë

Nga  | 

Nga Adelina Nitaj

 

Luna është 30 vjeç, një nënë e mrekullueshme për bijën e saj, buissneswoman, ndjek modën, e këndshme, e sinqertë, plot vetëbesim; është si të thuash një “libër i hapur”. Në një bisedë të zakonshme ajo mund të të bëjë përshtypje tri herë më shumë se librat e tu të preferuar. Gjithçka duket përfekte, deri sa një ditë ajo nuk u ndje më vetja…

Bota ishte shumë e zënë në rutinën e pjesës 8-orëshe të ditës dhe askush nuk u kujtua të ngulte shikimin në fytyrën e molisur të Lunës. Madje, edhe ajo vetë kishte kohë që nuk rrinte më përpara pasqyrës: fytyrë pa make-up, flokë të lëshuara pa shumë kujdes, një gotë verë dhe ca kujtime që i vinin në mendje. Ndiente dhimbje derisa kujtonte vendimet e saj të nxituara, të cilat i kishin kushtuar zbehje të lumturisë shpirtërore. I vinin në mendje mundësi të jashtëzakonshme që i kishte lëshuar gjersa ishte shumë e zënë me jetën e saj prej vajze. Kujtonte se si për një gjest shumë krenar kish vulosur fatin që të jetonte vetëm me foshnjen e saj.

Këmbëngulja që personaliteti i saj të mos njollosej nga paragjykimet patriarkale dhe vendosmëria për të përçuar tek njerëzit mesazhin se dinjiteti ishte më i rëndësishëm se çdo gjë në jetë, i kishin marrë gjithë energjinë. Çdo gjë dukej e zakonshme dhe i  sillte neveri. Nuk ndjente kënaqësi më as teksa dëgjonte këngën e saj të preferuar, as tek pinte kafe në një prej vendeve më “cool” të qytetit.  Diçka i zinte frymën, por as ajo vetë se dinte se çfarë po i pengonte e as çfarë donte të shihte ndryshe. Ishte tjetërsuar brenda qenies së saj, ndonëse, nuk kishe asnjë arsye të vetme për t’u ndjerë kështu.  Takimet i dukeshin humbje kohe.

Një mengjes, vendosi që të mos shkojë fare në punë, planifikoi të takonte dikë shumë të veçantë. Dikë, që kish kohë që i kishte munguar… kishte harruar kur e kishte pasur gjithë ditën e dedikuar për të. Deri sa shtrëngonte dorën e vogël të vajzës së saj, e dinte se ajo ishte arsyeja e vetme që e detyronte ta merrte veten. Kjo dorë e vogël ishte mbështetja e saj më e madhe, krenaria që ajo vetë kish krijuar. Vajza i jepte guximin të ndryshonte botën dhe, PO… do ta bënte për lumturinë e saj dhe të vetes! Kur shihte irisin e këtyre syve të vegjël mësonte se si duhej t’u kthente shikimet në sy botës që e urrente. Këto bebëza të vogla magjepësese, i bënin krejt të parëndësishme shikimet e syve të tjerë. Sy këta, që shihnin  me mosbesim kur filitej për ndryshime jetësore. Një zemër e vogël po i mësonte dashurinë, dhe kjo ishte mrekulli! Kjo ishte dashuria e vetme që i kish mbetur, dhe nuk do ta humbiste kurrë, sepse dashuria e bijës për nënën është e vetmja dashuri hyjnore në tokë.

Rreze të diellit binin mbi flokët e saj… dhe kjo do të ndodhë gjithmonë, pavarësisht asaj që jeta mund të sillte.

Zgjedhja për lumturi ishte e saj, dhe ishte kaq e thjeshtë. Vetja e re ishte personi perfekt që po priste të takonte.

 

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares