Personale

Kështu më thanë… por unë s’u dorëzova

Nga  | 

Aurora është një vajzë e re, thuajse e parrahur me jetën. Ajo ka pikë referimi për zgjedhjet e saj në jetë veçse familjen dhe mikeshën e saj qysh prej moshës 15-vjeçare. Çdo mendim, çdo gjykim dhe konkluzion i atribuohet vetëm këtyre. Ajo mendon se çdo gjë që i thuhet nga njerëz që i kanë thënë të afërmve të saj diçka, është ‘e vërteta’.

Aurora nuk e ka kuptuar kurrë me të vërtetë pushtetin, ligësinë, servilizmin, ndyrësinë, egoizmin, gënjeshtrën. Ajo vepron krejt pa mendje, duke dëgjuar ç’thotë “bota” e duke mos e ndarë dot të mirën nga e keqja. Në këtë mënyrë, morali i saj, sipas asaj, është si 1 dhe 1 që bëjnë 2. Nëse një familjar i thotë se të dalësh me këtë dhe jo me atë, meqë X njeri i ka thënë këtij të fundit së kështu është më mirë, atëherë ajo nuk e mendon dy herë, por thjesht e merr si të mirëqenë që kjo është e drejta e se kështu duhet.

Deri sa… një ditë takon Rebelën. Rebela dukej që ishte tip i shkujdesur, paksa më harrakate, disa i kishin thënë madje, se ishte mu “si çun”, por Aurora e ndjente dhe e dinte që nuk ishte ashtu. Rebela ishte një grua me një të kaluar të hidhur. Jeta i kish dhënë shumë shuplaka dhe diç kish kuptuar nga ajo…

Rebela donte ta bënte të kuptonte disa gjëra… edhe pse dukej sikur Aurora sa herë binte fjala tek gjërat delikate për jetën; marrëdhëniet me djemtë, dashuritë, profesionin, seksin… dëshironte të ndryshonte temë. Nuk e kuptonte dot nëse ndihej në faj prej faktit që nuk guxonte të njihte vetveten, kishte frikë, dyshim apo thjesht; nuk donte të kuptonte asgjë përtej “kutisë së njohjes” ku e kishte vendosur vetveten.

Një ditë, pasi kishte kohë që e kish vendosur, Rebela vendosi ta linte vendin e saj të lindjes. Jo sepse nuk e donte atë vend, por thjesht kishte kuptuar se ai realitet i rëndomtë dhe i kufizuar nuk i përkiste. Aurora  mendoi se ky ishte një veprim i nxituar. Po paratë?! Si mund të ndërmerrej një risk kaq të madh duke harxhuar gjithë kursimet e nënës së saj, vetëm për t’u shkolluar. Mbi të gjitha; si mund të ikte nga një vend kaq i bukur?!

Por, teksa shihte çdo ditë atë vend të bukur, ajo gjithashtu pikaste edhe faktin se njerëzit atje ishin jo aq të mirë. Ndoshta shumë pak prej tyre, mund të ishin të mirë… Por nuk i kishte njohur ende. Prapë se prapë kjo shpresë… i ndillte më shumë melankoli se sa dëshirë.

Ndoshta, ishte melankoli e mirë… Ndoshta, ishte një mesazh i vetes ndaj vetes se duhej të shkundej, duhet të zgjeronte botën e saj, larg gënjeshtrave dhe shtirjes. Ndoshta ishte tamam koha që ajo të krijonte fatin e saj, që do ta përmbushtte me të vërtetë!

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares