Personale

Letër nanës, nga Mimoza Krasniqi

Nga  | 

Mimoza Krasniqi

Jam gjallë.

Nanë, e di që tani kur kjo letër është në dorën tënde, unë amaneti yt jam shumë larg prej aty.
E di Nanë, që nuk ke me besu, madje ke me mendu që është njëra nga shakatë e mija me telefon.
Nanë, e di që kam lindur në kohën e duhur por jo edhe në vendin e duhur. Qysh e vogel e kam kuptu që heronj të vërtetë janë njerëzit që gjejnë forcë me jetu me një shpi, aty ku Nana mungon. Shtëpija, ajri, e jeta e kësaj bote je ti nanë. Qielli e toka janë të vegjël në krahasim me buzëqeshjen tënde.
E di Nanë, sa shumë ke qeshë kur unë si katër vjeçare të kam pyetur; nëse bota sillet atëherë pse shtëpija jonë rri gjithmonë në të njejtin vend. E di sa shumë je gëzu për secilin sukses që e kam sjellë në shtëpi. Faleminderit Nanë, që nuk m’ke rrit si femën mekanike, që nuk m’ke rrit me idenë e gatimit të pites si sukses të jetës, e as me idenë që bota sillet rreth parasë.
E di Nanë, që shumë herë nuk m’ke kthy përgjigjje po veç m’ke pa në sy kur unë si e çmendur kam fol për padrejtësitë e kësaj bote.
Sa herë kam qajtë para Tv-së kur kam pa qindra fëmijë nëpër botë që vdesin me shprehjen “krejt kam me i kallxu Zotit”.
Nanë, tani unë jam në qytetin që nuk flen kurrë, është i njejtë sikur zemra jote që nuk flen kurrë, ti e di sa herë jemi fjalos kur unë t’kam fol për mundësinë e ikjes në Amerikë.

Nuk është lehtë me jetu në mesin e njerëzve që në vend të ujit pijnë gjak, e as në mes të njerëzve që të shohin si copë mishi sa herë del prej shpisë.

Nanë nuk po du me qenë pjesë e këtyre njerëzve. E di që m’ke rrit me shprehjen; “mos u bo si ata”, por Nanë pse ata asnjëherë nuk u bëhen si Ne. Nanë, në aeroport e pashë shoqen me të cilen jam rrit, jo vetem zemra por edhe ftyra i kishë ndryshu, pse m’ke than që njerëzit që e shkelin bukën i vret Zoti, e pashë që kjo nuk kishë ndodhë, e unë në mesin e gjërave qe pata marrë me veti ishte edhe një fotografi e jona të kapur për dore, aq të lumtura ishim aty.

Nanë, aty e kuptova që njerëzit jo vetëm zemrën po edhe ndërgjegjjen e kishin shitë shumë lirë.
Nanë, ti se di sa shumë kam qarë kur i kam vendos gjërat në çantë. Atë ditë, shikova me shikim burrëror edhe pse jam femër dhe përshpërita lamtumirë.
Vitrinën me libra nanë e di që nuk ke me prek; se shpesh m’ke thanë që shpija pa libra është si nata pa dritë, por kam me kujtu sa herë mke bërtit; boll lexove, a do me u qorru. Fotografinë e diplomimit e lashë, e di që herë ka me t’u shtu malli, herë mërzia e herë dashnia, po të lutem nanë shko në dhomën teme, sikur unë jam aty, e pyetëm se ç’ka po boj.
Nanë, mos harro sa herë që ka ndeshje Reali, me m’thirr n’telefon e me’m’ngacmu nëse humb, njejtë qysh ma ke bo kur kam qenë në shpi.

Nanë, me tregu të vërtetën; shumë herë jam mundu me kuptu idenë që shpija ku je lind e je rrit nuk është e jotja e as shpija ku ki me shku te burri nuk është e jotja. Krejt vonë e kam kuptu që shpija jem është lirija që ma ke dhanë ti. E di që tash kur po i lexon këta rreshta ke me’m’ thanë si gjithmonë; kush je ti me ndryshu botën.

Unë nuk jam revolucioni, se nuk ndryshohet bota nanë, kur je vetëm. Më vjen keq Nanë, që shumë herë ke qenë e detyrume me i dëgju llafet ; “kur po e marton çikën” ose “a gjeti çika punë” . Krejt ndalen në këtë vend, veç llafet kurrë.

Nanë, kam me i mësu fëmijët me fol shqip në mes të New Yorkut, e kurrë nuk kanë me u bo si “ata” që e flasin gjuhën e huaj. Nanë, nuk po du me qenë pjesë e jetës së një populli ku krejt merren me politikë edhe asgjë nuk kanë arritë përmes politikës.

Nuk po du me qenë pjesë e njerëzve që vdesin për bukë por dasmën e bëjnë më madhështoren në Evropë. Nuk po du me qenë pjesë e femnave që asnjë libër nuk e lexojnë por bëhen të mençura kur është fjala për fli e burrë, e as e atyre tjerave që përmes trurit në prapanicë arrijnë atje lart.

Nuk po du me qenë pjesë e njerëzve që rrahjen e gruas e kanë normale e as e atyre që konceptin e lumturisë ua mësojnë vetëm djemve.

 

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares