Op-ed

Një replikë me ‘më të zgjuarit’

Nga  | 

Silvi Bakiri

Disa kohë më parë, profesori shumë i nderuar Edmond Tupja, shpjegonte me qetësinë më të madhe dhe me gjithë elokuencën që e karakterizon, në një studio televizive, se njeriu nga dashnia, në pasion e sipër, mund edhe ta vriska të dashurën e zemrës.

Se kjo, e thënë kështu, dhe e argumentuar vetëm me eksitimin e skajshëm të shpirtit, ashtu sikurse mbase vetëm francezët e kuptojnë, përbëka në thelb një akt sadizmi romantik. Duke e konsideruar të tillë, njeriu tej mase i lënduar, u çfajsoka pra disi (kështu lihet të kuptohet) nga barra e ndërgjegjjes që i shkon për shtat as më pak e as më shumë se sa një krimineli ordiner.

Ajo që të habit nga këto “broçkulla franceze” me okë është fakti se artikuluesi me siguri nuk e llogarit fare se sa shumë mund të abuzohet me termin “krim pasioni” apo me faktin se dashnia e skajshme, që në ditët tona nuk ka më as ndonjë element kalorsiak (siç Mond Tupja mund të fantazojë) mund edhe të sillka këto gjëra të tmerrshme që ndonjë kaqol a trape truprovincial/e mund t’i faturonte, edhe si ta zëmë: “po ja se kushedi çfarë magjistrice ishte dhe ia hodhi birit të botës” trutë e gomarit… etj.

Ashtu sikurse, të habit deri në buzagaz (por me lotë e qurre) se si mundet ta zëmë, një burrë 70 vjeç, të vrasë bashkëshorten 65 vjeçe për motive xhelozie (po për këtë, a mendojnë truprovincialët se ku e çoi mushka?!) Po “francezët” a mund t’i veshin ndonjë vel magjik sadizmi një veprimi të tillë?!

Vetëm nëse kanë shkarë.

Ajo që do të doja unë nga këta intelektualë të nderuar është që mos ta hyjnizojnë në dell letrar e sipër asnjë veprim qashtërsisht dhunues kundrejt një vajze a gruaje.

Do të ishte një krim i dyfishtë ndaj saj dhe një medalje “pasioni” për çdo abuzues të paskrupullt.

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares