Letrart

Kuriozi kritik

Nga  | 

U lodh duke përgjuar, s’la qoshe pa shikuar, s’la fjalë pa dëgjuar. Hapet një dritare, vështron. Mbyllet një derë, gjithashtu drejton vështrimin. Dëgjon një zhurmë, i hap veshët më tepër. Sheh një grup njerëzish, s’ua ndan sytë. Vëren me kureshti. Vëzhgon me gjallëri.

Një ditë i qëlloi të dëgjonte një burrë që grindej me gruan. Vërejti dy shokë të vjetër që po shaheshin. Përgjoi se ç’flisnin dy të reja me njëra-tjetrën. Dhe po ashtu ndoqi pas një çift të rinjsh që drejtoheshin në periferi të qytetit ndaj shtigjesh të qeta ku valëvitej gjebërimi i grurit të dendur… E do të vazhdonte edhe më përgjimin po të mos i kishte dalë përpara një i njohur. Pasi u përshëndetën, i njohuri i drejtoi fjalën: – E ç’kërkon o i gjorë, që s’të mbajnë këmbët dhé. Ç’të ka humbur që sillesh vërdallë si i hutuar? Kë ke mbajtur shënim sot që pastaj të përflasësh me kë të mundesh?… Më trego edhe mua ato që të ka zënë syri ose të kanë dëgjuar veshët… Dhe mbasi njeriu kureshtar s’përgjigjej, e mori fjalën sërishmi: “Unë them të mos përzihesh në punët e të tjerëve. Nëse të është bërë zakon e s’e mbyll dot gojën, bën mirë të mbyllësh sytë dhe veshët. Se edhe nëse vë re ngjarje që të duken të kritikueshme, kij parasysh se një herë apo një tjetër mund të ndodhin edhe ty, familjes tënde apo nesër pasnesër fëmijëve të tu. Se kohët ndryshojnë, o mik, do apo s’do ti… S’ta kanë borxh që t’i bezdisësh. Kështu ke shëruar edhe veten tënde nga ky ves. Apo e kam gabim?

Kuriozi kritik që e ndjeu veten keq, i heshtur e kokëulur, u largua duke lënë mikun në mëdyshje nëse u largua i penduar, apo mbasi vesi bëhet zakon, është vështirë të shkëputesh prej tij…

Selfixhe Broja (Ciu) – Kolombia (Tallazet e jetës) 

“Shtypi”, 13.8.1937

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares