Prijëse

Pse vajzat dhe gratë duhet të shprehin fort opinionet e tyre

Nga  | 

pexels-photo

Një mike së fundmi më tregoi se po ndihej lëmsh. Djali i saj sapo kishte zgjedhur të largohej për të studiuar në shkollën e mesme, dhe me largimin e tij ajo po ndihej pa asnjë qëllim. Një natë më parë, bashkëshorti e pyet, “Zemër, tani që mund të bësh ç’të duash me jetën tënde, çfarë dëshiron të bësh?”Ajo nuk dinte si të përgjigjej. Thjesht e vështroi, duke menduar, Nuk e di se ç’dua për darkë – harroje që ta di se ç’dua të bëj me jetën time. Nuk e kam idenë. Si mundet të paktën të filloj ta gjej? 

Kur dikush më fton për të menduar se çfarë dua, mundohem të hesht, i dhuroj vetes një çast meditues, dhe kërkoj brenda vetes deri sa një zë ma bën të qartë.

Disa e quajnë atë zë intuitë; të tjerë thonë se është Zoti, ose Universi. Se çfarë ta quajmë këtë nuk është se ka aq rëndësi; e rëndësishme është që arrijmë ta dëgjojmë.

Por grave u kanë mësuar se rruga për të qenë të suksesshme dhe tërheqëse është duke u zhveshur nga çdo egoizëm. Qysh prej një moshe të re, ne kemi qenë të detyruara ta injorojmë zërin e brendshëm (atë çka duam me të vërtetë) kur vjen puna për të marrë parasysh se kush jemi dhe cilat janë synimet tona, dhe në vend të kësaj na është thënë të shohim jashtë – familjen, miqtë, kishën, bashkësinë, duke u bërë vetëfshikulluese. Në një milion mënyra të ndryshme ne i pyesim vazhdimisht të tjerët: Çfarë duhet të dua? Çfarë duhet të jem? Dhe sa më shumë që zërat tanë pëshpëritës treten, aq më shumë trupi përpiqet ta “risjellë” situatën në ekuilibër. Lodhemi. Sëmuremi. Nuk flemë. Dhe i injorojmë edhe këta zëra.

Nëqoftëse ti refuzon të dëgjohesh nga të tjerët për një kohë mjaft të gjatë, ti do të ndalosh së foluri. Dhe kjo është përse-ja e humbjes së drejtimit tënd.

Djali im adoleshent dhe shokët e tij po shëtisnin në sallonin e shtëpisë një fundjavë, u shfaqa atje dhe i pyeta, “Jeni të uritur?” Djemtë vazhduan ta përqëndronin vëmendjen drejt ekranit të Tv-së dhe thirrën “Po!” në të njejtën kohë, ndërkaq vajzat heshtën – duke parë fytyrat e njëra-tjetrës – pastaj buzëqeshën dhe thanë, “Jemi mirë.” Shikoni ç’ndodhi aty. Djemtë u prezantuan me stomakët e tyre. Vajzat me njëra-tjetrën. Pak më vonë, provova sërish: “Vajza, kam pica dhe pulë. Çfarë doni?” Pati një heshtje të gjatë ndërsa sërish dy prej tyre panë një të tretë. Ajo bëri një pauzë, buzëqeshi mirësjellshëm, dhe tha, “Për mua është njësoj. Çfarëdo që të marrin ato është në rregull.”

Pikërisht në atë çast, vendosa se ishte e nevojshme të zhvillonim një bashkëbisedim. Mendova për herët e pafundme kur më është dashur të kërkoj falje pa arsye dhe të thosha se isha mirë edhe kur nuk isha. Kur kemi një problem dhe themi se nuk na bezdis, zakonisht është gënjeshtër. Çdo vajzë ka probleme. Ne vetëm sa na është thënë të mos e ekspozojmë veten duke e bërë të ditur këtë. Ajo çka botës i duhet janë vajzat dhe gratë që nuk kanë frikë të veprojnë – dhe që janë lodhur duke thënë “sidoqoftë.”

I bëra të ditur vajzave në shtëpi se ishte e nevojshme të mësonin disa rregulla në lidhje me të qenit një vajzë, meqë bota i ka mësuar se nuk duhet të ndihen të uritura, të kenë opinione, të marrin vendime, ose të thonë se ç’kanë në mendje pa marrë leje.

Sa herë që i pyesja vajzat se çfarë dëshirojnë, ato shihnin  nga djemtë ose nga njëra-tjetra, duke bërë sikur nuk ishte kjo në fakt një përpjekje e tërthortë për ta bërë çdokënd të lumtur.

I kujtova se nuk është puna e tyre të ulnin volumin e zërit, mendimet dhe të zhduknin prezencën – vetëm që të akomodonin sa më mirë të tjerët. Opinionet e tyre janë të rëndësishme, i thashë, kështu që ato duhet patjetër të kuptojnë se çfarë duan, ta besojnë me të vërtetë brenda, dhe ta thërrasin për së jashtmi.

Pastaj thashë, “Okay, le të praktikohemi. A besoni vërtet se djemtë duhet të tregohen të shkathët dhe të hanë, të dëshirojnë dhe të vendosin për gjithçka ndërsa ju të uleni në shesh dhe të vështroni?”

Njëra nga vajzat uli vështrimin, dhe tha, “Jam e uritur, edhe pse them gjithmonë se nuk jam.”

“Edhe unë” i thashë. “Edhe unë jam gjithmonë e uritur.” Dhe as unë nuk ndihem aq rehat, siç edhe ju. Le të mos themi më gjëra të pavërteta.”

Vajza e dytë tha, “Nuk di se si ta marr vesh se ç’dua.”

Thashë, “Ndonjëherë, në fillime, duhet ta përpunosh vetveten në mënyrë që të kuptosh gradualisht se çfarë do.”

Mora një monedhë dhe e hodha në ajër.

“Bëhuni gati,” i thashë. “Do ta hedh këtë monedhë. Nëse bie kok, do hamë pica. Nëse pil, pulë. Ndërkohë që është në ajër, mendoni se si dëshironi që të bjerë.” Dhe përpara se ato të mendonin, hodha monedhën. Të trija vajzat thirrën “Kokë!” pa pushim dhe pa vështruar nga njëra-tjetra.
“Ja pra,” i thashë. “Kjo jeni me të vërtetë ju. Në këtë rast nuk kishit kohë të mendonit shumë gjatë apo të pyesnit çdo njeri përreth.” Hedhja e monedhës është një marifet për të mashtruar zërin e brendshëm deri sa ky të kthehet në “ulërimë” dhe ju të arrini t’i përktheni siç duhet pëshpërimat. E kam përdorur vetë këtë mënyrë për të kuptuar se ç’dua unë nga bota, në vend që të kuptoj se ç’do bota nga mua. Më ndihmon ta kaloj fokusin prej të qenit “perfekt” në të qenit “e lirë”.

Besoj se edhe vajzat e kuptuan dhe e zbatuan shumë mirë këtë rreng, përderisa reaguan.

 

Përktheu për Gentlewomen : Silvi Bakiri

Burimi : HuffPost Women

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares