Letrart

“Kambana e qelqtë” autobiografia e Sylvia Plath, në shqip

Nga  | 

Përgatiti Davjola Ndoja

“Kambana e qelqtë” Sylvia Plath
Përktheu: Davjola Ndoja
Shtator, 2017

BOTIME PEGI


sylvia1

Mbi autoren Sylvia Plath

Sylvia Plath u lind më 1932 në Massachusetts dhe kaloi vitet e fëmijërisë në një qytezë pranë Bostonit. Ajo nisi të shkruajë poezi në moshë të hershme dhe talenti i saj nisi të vlerësohej me çmime e botime. Më 1950, Sylvia u pranua në kolegjin Smith të Massachusetts-it. Gjatë kësaj periudhe ajo nisi të vetëdijësohej për qenien e saj si grua, dhe konflikti mes stilit të jetës së një poeteje, intelektualeje dhe asaj të gruas, bashkëshortes apo nënës nisin të ishin shqetësimi i saj parësor.
Kambana e Qelqtë, një roman autobiografik, u botua për herë të parë në janar të vitit 1963 me pseudonimin, Victoria Lucas. Çdo personazh te Kambana e qelqtë përfaqëson dikë, shpesh në formën e karikaturës, që Sylvia e ka njohur, secili prej tyre i ka kushtuar asaj kohë, dashuri, madje dhe ndihmë financiare në atë periudhë të vështirë të jetës së saj më 1953. Ky është romani i vetëm që ajo shkroi dhe nuk paraqet karakterin tipik të saj, ajo madje ishte e frikësuar për botimin, duke iu shprehur të vëllait se “ky (libri) nuk duhet botuar kurrë në Shtetet e Bashkuara”, nga frika se si do të reagonin personazhet kur të njihnin veten në faqet e librit të saj. Vetë titulli, Kambana e qelqtë, nënkupton atë që vetë Sylvia ka shprehur, por është në dorë të lexuesit të vëmendshëm se çfarë do kuptojë prej tij.


article-2265000-1708DC16000005DC-661_634x482

Kambana e qelqtë është një satirë e çmendurisë së Amerikës në vitet ’50; edhe pse tema qendrore e veprës është kriza nervore dhe tentativa për vetëvrasje që pëson Ester, personazhi kryesor, ai rrëfen gjithashtu historinë e shërimit, shpagimit, rilindjes dhe fillimit të ri. Libri analizon pritshmëritë sociale dhe kulturën gati toksike të atyre viteve në Shtetet e Bashkuara, një kulturë e cila e bën thuajse të pamundur gjetjen e një identiteti pozitiv për një femër aq sa, Esteri shkon drejt vetëshkatërrimit.
Rënia në depresion dhe dërgimi i saj tek një psikiatër krejt i pandjeshëm, i cili presupozohet ta ndihmojë ‘të jetë sërish vetja’, por si mundet ajo të jetë vetja në një shoqëri që ia pret aq dhunshëm mundësitë asaj? Ai i rekomandon terapinë me elektroshok, Esteri vramendet se ‘çfarë të keqe ka bërë vallë’; Plath-i, këtu na sugjeron se si vajzat e reja dhe me ambicie ndëshkoheshin, çoheshin për elektroshok, dhe detyroheshin të heshtnin për shkak se kërkonin shumë, përpiqeshin shumë, ndoshta kërkonin atë jetën e dyfishtë të rezervuar vetëm për burrat, dhe pse donin gjëra ekskluzivisht tyret.

Esteri është e çmendur, thotë shoqëria, e çmendur që kërkon këto, ndaj si rrjedhojë ata do bëjnë të pamundurën t’ia heqin këto dëshira, edhe me dhunë nëse është e nevojshme.
I botuar të njëjtin vit me Mistikën Femërore të Betty Friedan-it dhe një vit pas Bllokut të Artë të Doris Lessing-ut, Kambana e qelqtë e Sylvia Plath-it, është pjesë e atij revolucioni, vëzhgim i imët social dhe një hulumtim në atë se si kërkimi për integritet mund të të çojë në shkatërrim. Unë shpresoj që ardhja në shqip e këtij romani, t’u shërbejë sadopak lexuesve të tij për të analizuar shoqërinë shqiptare në të cilën jetojmë sot, hierarkinë e vlerave dhe antivlerave, e t’i bëjë të reflektojnë për rëndësinë e shëndetit mendor, zgjedhjet e tyre në jetë, marrëdhëniet me njëri-tjetrin e mbi të gjitha, të jemi të kujdesshëm sepse cilido prej nesh lufton betejat e tij, e betejat më të mëdha, janë ato që zhvillohen brenda mendjes sonë.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares