Frymëzime

Pa titull

Nga  | 

Zemër,

Mua nuk më duhet vranësia me porosi të Kush-it, as rrena në linja të holla, me paterica, këmbë përmbi këmbë, si sulltaneshë apo si zoj e ranme. Nuk më duhet gjykimi i zotërinjve a zonjave, të specialistëve të jashtëm a ekspertëve të brendshëm. Dushmani, kuptohet, jo që jo.

Nuk më duhet as besnikëria e heshtjes së një bote ku metafizika është çështje gajasjeje e ku edhe unë edhe ti përfshihemi me ose pa dashje. Ç’rëndësi ka. Jeta prapë është e shtrenjtë, – dhe miq ka pak. Armiqtë jemi vetë… thuhet nga një autor budist (nga një lundrim rastësor në internet). Por jeta do përpjekje, mirëkuptim dhe shumë butësi në skalitjet e forta dhe të rëndësishme. Sa herë ajo të godet, ndodh sepse beson që ti je i fortë dhe kjo tregon shumë. Sa herë që ti ndihmon ato që goditen, tregon se qëndron fort nga krahu i jetës. Dhe jeta shpërblen në një kuptim gjithmonë pak më të epërm; edhe kur duket sikur të vendos përposhtë. Fillon të shohësh poezi edhe në gjëra të vogla. Gjërat e mëdha shpesh i duhen të vegjëlve; jam boll empatike për t’i quajtur njerëz?!

Por jeta është kështu, edhe me kapriçio, por në fund nuk ka rëndësi nëse ha pizza apo kaviar, nëse nuk i ha me atë që ti do më fort. Dhe meqë unë të kam xhan, them t’ia provosh edhe të tjerëve se gjërat e mira janë vërtet më të mira kur ndahen. Gjithmonë zgjidh atë që do vetë.

Për ty

Nga unë

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares