Op-ed

Llaturepsje politike?

Nga  | 

Silvi Bakiri

Zhvillimet e deritanishme të politikës shqiptare ngjajnë me një çorape, e cila jo vetëm që është veshur mbrapsht por është duartrokitur për faktin që është veshur e tillë.

Në këtë prizëm, hapja kulturore dhe globalizimi si fenomen që na përket të gjithëve ka ndikuar për mirë. Politika, edhe për kë aspiron të merret (jo vetëm politikanët) është një lojë serioze ku fitimtarë idealisht duhet të jenë njerëzit. Kjo pra, bëhet për njerëzit dhe nuk zhvillohet subjektivisht prej përzgjedhjeve promovuese të lidhura me qëllime pushtuese apo bezdi personale.

Për këtë arsye, disa politikanë funksionojnë për një kohë të gjatë, disa të tjerë jo. Por këtu ka, ose duhet të ketë edhe dy specifika të rëndësishme:

E para, është konteksti apo sistemi lokal në të cilin gjendemi. E dyta, është integriteti i lobuesit dhe të lobuarit. Kujtojmë se integriteti është ajo bashkësi vlerash që i përgjigjet “ndershmërisë/honesty” ose atij kodi moral që është pranuar prej një shumice, sanksionuar në degëzimet e veta edhe sipas ligjit. Kjo do të thotë se në një politikë serioze dhe produktive, meqë qëllimi final janë njerëzit, nuk mund të funksionohet për shembull duke përdorur mjete jodemokratike si presioni, sabotimi, shantazhi apo mashtrimi. Sërish, kjo, sepse politika lokale në një kontekst global bëhet për njerëzit, jo për liderët.

Si e tillë, thënë pak më ndryshe: Nuk mund as ta çojmë ndërmend që kundërshtarin politik ta mundim politikisht duke i vendosur “shkopinj në rrota”. Kjo mund të ndodhë për të denigruar njerëz por jo politikanë. Sepse është vetë filtri moral që këta individë duhet të kenë pasur paraprakisht që i bën imunë ndaj sulmeve.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë me kujdes se si liderë të caktuar kanë ardhur deri këtu ku janë sot. Nuk mund gjithashtu të çohet ndërmend fakti se vetë lobuesit të gëzojnë integritet më të ulët se të lobuarit. Pra nuk mund të mendohet që mendje xheloze, pushtuese të promovojnë njerëz të frytshëm. Ashtu sikurse nuk mund të mendohet që të lobuarit të kenë prirje delikuente kundrejt njerëzve, aq më shumë pasi kanë pushtet në dorë. Ky raport mbetet gjithmonë mjaft delikat sepse reflektohet edhe më seriozisht te njerëzit – dhe njerëzit nuk janë dele.

Për të dalë në pyetjen: A duhet politikanët vetë të ndihen si veshka mes dhjamit dhe t’i krijojnë të tjerëve ndjesi pështjelluese e çoroditëse? Jo, duhet që çorodia e politikës – ose dalja nga zona e komfortit të sigurojë individë më të lumtur dhe të rehatuar. Sepse-ja mbetet e njëjta: Politika bëhet për njerëzit, (jo për politikanët).

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares