Personale

Do e liroj veten nga burgu juaj!

Nga  | 

Nga Rita Behadini

Do e liroj veten nga burgu juaj. Ju betohem. Do e liroj veten nga prangat tuaja, nga ato që m’i keni vënduar duarve, madje edhe nga prangat me të cilat ma keni burgosur shpirtin. Do më quani të marrë, ndoshta edhe do më quani me nofka që tashmë unë jam mësuar t’i dëgjoj, por nuk më bëhet vonë.

Më burgosët që në momentin e parë kur erdha në këtë botë. Më burgosët në momentin kur ma vënduat emrin dhe në çertifikatën e lindjes u shkrua: vajzë.

M’u hoq e drejta e lirisë që në momentin që linda në një botë si kjo, në një vend si ky, në një qytet si ky. Ju e dinit saktësisht si duhej të sillesha unë, kush duhej të isha unë, çfarë duhej të thoja unë. Unë rashë në shumë humnera duke u munduar të iu ik prangave tuaja. Në vend që të luftoja për personin që duhej të bëhesha unë, luftoja edhe kundër personit që donit ju të bëhesha. Dhe juve do iu djegin në zemër gjithmonë fjalët e mia, por mua fjalët e juaja më kanë kushtuar një jetë.

Ndonjëherë vendos të harroj se sa e robëruar jam. E lejoj veten të harroj. Por nuk zgjat kurrë shumë gjatë, ju m’i shtrëngoni zinxhirët dhe ma kujtoni. Ju jeni gjithmonë aty për të ma bërë më të vështirë ekzistencën. Dhe kjo sepse juve kështu ju kanë mësuar, kjo sepse ju kurrë nuk u munduat të lexoni një libër në jetën tuaj dhe ta nxirrni veten nga errësira, kjo sepse juve, ju konvenon të robëroni njerëz, kështu si mua, ju ndjeni kënaqësi. Unë jam rob i juaji pasi ju nuk u munduat kurrë të liroheni nga prangat që ua vunë, ju nuk deshët kurrë të liroheni nga to. Ju thjesht pranuat fatin tuaj. Por unë do e liroj veten nga burgu juaj. Ju betohem. Unë nuk dua t’u vë pranga atyre që vinë pas meje, as fëmijëve të mi e as fëmijëve të dikujt tjetër. Unë dua ata të kenë atë që unë nuk e kam; lirinë.

Ndoshta Zoti hoqi dorë nga ky vend kur pa që ju nuk bënit asgjë që të ndryshoni gjendjen tuaj. Paramendoni, edhe Zoti ju ka braktisur. Dhe do ngeleni të braktisur për aq kohë sa vazhdoni të tërhiqni njerëz në burgun tuaj dhe nuk mundoheni t’i nxirrni ata në dritë.

Por unë do e liroj veten nga burgu juaj. Ju betohem. Nuk do e pranoj kurrë këtë realitet që ju ma ofroni!

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares