Psikologji

Jo një vend për idealistë

Nga  | 

Nga Meri Dishnica

Mëngjesi i së dielës, i paqtë dhe i ngadaltë! Uroj të jem politikisht korrekt, kur pranë kekut të mamit, nisa të shkruaj për “idealizmin” (temë që e kisha programuar ta shkruaja më herët). Keku ishte i mirë (fundja, është keku i mamit), por nuk është keku më i mirë në botë! Relativizmi subjektiv që na karakterizon në vendime të caktuara, na e ngatërron edhe me kufirin mes reales dhe ideales.

Nga ana tjetër, diskutimi i këtyre dy koncepteve na shërben si një kujtesë e rëndësishme se ajo që është ideale në letër, shpesh nuk është më e mira në praktikë. Ajo që thjesht funksionon në praktikë, nuk do të thotë se është ideale ose madje e justifikueshme.

Të kuptuarit se si të bëhet kompromis midis idealizmit dhe realizmit, është i rëndësishëm në të gjitha fushat e jetës. Thelbësor tenton të jetë në politikë. Aty ku duhet t’i ruajmë idealet e fillimeve të dlira, përballë një realiteti të paqartë; E me të drejtë, nis “epoka gri” e mjeteve për të justifikuar përfundimet.

Të ndërgjegjshëm për “X” përfundime, sigurohet “X” vazhdimësi. Në fund, ajo që mbetet është këndvështrimi relativ i një “X” vendimi të liderit. E vetëm atëherë do të kuptojmë pse edhe politikanët më virtuozë, gjatë karrierës së tyre, kanë një histori “gri” dhe se, ndonjëherë, edhe idetë më të mira janë të mangëta në praktikë. Duhet të kuptojmë mbi të gjitha, se kompromisi nuk është një fjalë e ndyrë.

Ka shumë mënyra për të krahasuar idealizmin dhe realizmin. Vetëm të kuptuarit se gjithmonë kemi këto dy zgjedhje para nesh, ndërkohë na ndihmon shumë. Duhet t’i “peshojmë” të dyja dhe t’i përdorim për të bërë zgjedhje të mira për veten dhe për ata që përfaqësojmë, vetëm se duhet të jemi në gjendje t’i kuptojmë ndjeshmërinë e të tjerëve në çështje të caktuara.

Mund të thuhet se janë sistemet e idealistëve që kanë shkaktuar shumë nga problemet më të fundit të njerëzimit, jo sepse janë më pak virtuoze, por sepse perspektiva e zezë dhe e bardhë e absolutizmit, nuk duket të luajë mirë me zonat gri të natyrës njerëzore.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares