Op-ed

A mundet një sistem ta kuptojë thellë individin?

Nga  | 

Silvi Bakiri

Në Shqipëri, është kaq e vështirë të bësh një jetë kontribuese pa pasur në mendje shoqërinë e spektaklit. Kur them këtë, kam parasysh nismat me ndihma për njerëzit në nevojë.

Sa realisht mjafton kontributi ynë i vogël dhe modest për të ndryshuar një shoqëri në depresion, e cila duhet shkundur nga themelet?

Rasti i Saimir Zallit, nga Lezha i cili ka tentuar dy herë vetëvrasje për shkak të depresionit, dëshmon se ky i fundit nuk është thjesht një shqetësim personal a mosdëshirë për veprim, por shmangie, lënie në harresë apo akoma më keq: abandonim, braktisje. Si atëherë, kur një sistem i tërë i kthen shpinën individit të thjeshtë.

Në këtë gjendje pamundësie dhe depresioni, sa i fuqishëm mund të jetë individi përballë presionit social, indiferencës së përgjithshme dhe ‘imazhit ideal’ që kërkohet nga bota paralele e cila gjykon shpesh ftohtë dhe sertë?

Sa dhe si mund ta ndryshojë ky realitetin e vet përballë gjithë sistemit që mban mbi vete? A është në gjendje ky sistem ta kuptojë thellësisht, dhe në mënyrën e duhur këtë individ?

Ajo që mund të bëhet, në këtë rast, gjendet te komunikimi. Jo gjykimi. Një shoqëri, që nuk harron rëndësinë e komunikimit të ngrohtë, angazhimin e strukturave të qeverisë jo thjesht në nivel mediatik por mbi të gjitha njerëzor dhe lënien mënjanë nga pak të egoizmit të gjithësecilit për të ndihmuar realisht këta njerëz të dëshpëruar, brenda një shoqërie së cilës i ka ikur buzëqeshja.

Një njeri në skamje është përgjegjësi e gjithësecilit, ashtu sikurse e shtetit! Ndjeshmëria dhe ndihma financiare, akomodimi në një mjedis të jetueshëm dhe mjekimi do të ishin masat më urgjente, dhe një shembull shprese për të dhe të tjerë.

 

 

 

 

 

 

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares