Letrart

Një revoltë e merituar për një shoqëri në alarm

Nga  | 

Prolog, nga Sibel Halimi

Për librin “Shoqëri në alarm” me autore, Sibel Halimi

Libri “Shoqëri në Alarm”, është një reflektim mbi zhvillime të gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare, në gati pothuajse dy dekadat e fundit.
Është një revoltë e shqetësim për ndeshjen e vazhdueshme ndërmjet tradicionales e modernes, e ku e para përpiqet të ruajë dominimin, ekskluzivisht në sajë të oportunizmit të një pjese të shoqërisë, e cila në emër të asaj që e përkufizon si traditë, mban gjallë fosile nga e kaluara që godasin mbi idenë e të qenit vetja, dhe ku individi tretet pavërejtshëm në masën e atrofizuar.
Duke përsiatur nga ky këndvështrim, libri përpiqet ta lëvizë çdo autoritet për të parë se çfarë në fakt është duke ndodhur, dhe çfarë fshihet prapa tij.

Autoriteti i dekonstruktuar në patriarkun, i cili është mishëruar në një trup shumë dimensional dhe i përfshirë në vet ekzistencën tonë është zor i luftueshëm, për faktin se vlefshmëria është mistifikuar dhe çdo përpjekje për të bërë ndryshime, rezistohet. Kjo gjendje arrin të lëkundet, së pari nëpërmjet teoritizimit sociologjik, filozofik e feminist. Qasja e tillë e trajtimit të fenomeneve jep mundësinë për të parë dhe analizuar projektin e emancipimit dhe të demokracisë, e cila ka marrë premisa të një tërësie të klisheve politike e diskursive, e në fakt duhet të jetë synim për ta liruar individin nga çfarëdo kontrolli dhe shtypje.

Historia ka dhënë fakte të mjaftueshme për të dëshmuar se nga feminizmi janë çliruar të dy gjinitë. Ngase patriarkaliteti e kultivon raportin e dhunës. Ndaj kjo përpjekje nuk është luftë ndërmjet gjinive, por do të duhej të ishte luftë e gjinive kundër patriakalitetit.

Të liruar nga përgjegjësia, dhe me një mungesë të theksuar përkatësie ndaj çdo gjëje, anomalitë e shoqërisë në tranzicion janë më shumë se sa shqetësim për një cikël jetësor të një grupi njerëzish me krizë të thellë identitare, e brumosur në masë të ndjeshme me sfond religjioz.

Në një shoqëri të përfshirë në kaos e panik, gjithsesi, libri synon të hapë debat në një vend ku hapësira për një gjë të tillë është tkurrë në maksimum, sa shkaku i mbylljes në vetvete, po aq nga pagatishmëria për debat pa tabu për çështje të ndejshme që e bëjnë tërësinë e një shoqërie, në kontekstin aktual.

Si është e mundshme, teksa në vitet e 50-a, me një konsensus politik, pastaj edhe atë shoqërorë, të krijohej pakti kundër ferexhesë, teksa pothuajse për aq vjet më vonë, kthimi retrograd nxitë klimën për ta futë gruan kosovare në shami dhe përtej saj. Tendencë e hapur kjo për kontroll në kohën kur e gjithë shoqëria jeton në kushtet e një sistemi ‘big brother’, sa nga kontrolli i jashtëm, në funksionim të testimit të shkathtësisë për shtetbërje, po aq nga kontrolli i brendshëm, i instaluar nga parti politike me sfond autoritarist dhe ku individi s`është vetja, ku lideri është gjithçka dhe ku mendimi ndryshe konsiderohet njëfarë dore blasfemi.

Kjo tërësi e shkrimeve, pjesa më e madhe e të cilave janë botuar në “Koha Ditore”, apo në një pjesë të periodikut shqiptar është thjesht përpjekje për çlirim personal, të një dufi që buron nga zhvillimet negative, të cilat gradualisht me idenë e heshtjes, internalizohen si vlerë e shoqërisë, e cila heshtjen e ka mënyrë mbijetese, sakaq oportunizmin e konformizmin mjete operacionale.

Si ka mundësi që në një ngrehinë të ashtuquajtur shtet, tendenca maskuliniste për pushtet, margjinalizoi skajshëm gruan, e cila në shoqërinë perëndimore (ku synon shoqëria kosovare), është pjesë integrale e sistemit.

Pse njerëzit e duan kaq shumë të vërtetën e tyre, teksa bota nuk përbëhet nga një e vërtetë. E vërteta e njërit, jo domosdoshmërisht është e tjetrit, ndërkohë që në shoqërinë kosovare ideja e përkatësisë së të vërtetës, tashmë është natyralizuar dhe beteja kryesore zhvillohet në terrenin e saj.

Kujt i takon e vërteta?!

Ajo është në duart e grupeve të caktuara, të cilat e kanë uzurpuar dhe monopolizuar atë. Në një shoqëri në krizë, s`mund të flitet për të vërtetën, por thjesht për derivate të saj: gënjeshtra, mohimi, konformizmi apo oportunizmi.

Këto devijime, gjithsesi prishin qetësinë e një kundruesi të fenomeneve në shoqëri. E vejnë atë përpara përgjegjësisë, për të marrë qëndrim, për ta shpërfaqë atë dhe për ta dhënë një kontribut sado simbolik qoftë ai, për një ambient ku debati i kundërvihet tabusë së meta- narracioneve apo meta të vërtetave.

Ka një të vërtetë. Gjithçka është e debatueshme, ndaj mbi këtë postulat, një shoqëri mund të bëhet ndryshe, duke akceptuar mendimin ndryshe, duke goditur fuqishëm në kallot nacionaliste, për të shkaktuar dhembje që prodhojnë realitet të ri, koherent me nevojën dhe me zhvillimet e gjithëmbarshme.
Libri, duhet kuptuar si një shqetësim dhe kureshtje për të mbajtur qëndrim apo regjistruar ndryshimet shoqërore, sidomos në periudhën e pasluftës, kur ngarendja për ta krijuar shtetin, la anash shumë aspekte të rëndësishme sociale, të cilat në një formë a tjetër po i hakmerren shoqërisë sonë.

Pra, një alarm se një kohë tjetër nuk ka dhe se ndodhitë brenda nesh nuk duhet t`i kundrojmë sikurse ndodhin në vende të treta.
Të guxojmë për të ndryshuar, si garanci se liria e individit është mbi të gjitha dhe se ajo nuk mund të negociohet!

Autorja

Prishtinë, 2017

kopertina

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares