Op-ed

Për fanatikët e së vërtetës dhe buonizmit

Nga  | 

Silvi Bakiri

Disa koncepte post-demokratike ndodh të keqkuptohen nga vetë pishtarët e parë, ata dhe ato që dikur e kërkonin me ngulm demokracinë, me ethet rinore dhe ëndrrat e shumta për liri.

Kur e mendon, sa prej njerëzve të protestave të dhjetorit ’90, kanë mbetur po njësoj fanatikë të lirisë? Sa prej atyre që reklamojnë shoqërinë e hapur, janë me të vërtetë të hapur, mendjendritur, pozitivë, të interesuar për tjetrin?

Sa prej tyre, në fakt, janë manjakë pushteti me të gjitha format e manifestit të pushtetit – që pak ka të bëjë me të mirën (atë që njihet si mirësi; ka gjithnjë një kuptim klasik dhe jo të sheshtë e mira, ashtu siç e keqja).

Për shembull, abuzimi me pushtetin është një e keqe.

Falsiteti, por edhe urrejtja irracionale kundrejt dikujt, pa motive të qarta; edhe kjo sindromë e ambicjes së sëmurë, është një e keqe. 

Respekti i palogjikshëm ndaj një autoriteti dëmtues prodhon individë të frustruar dhe të dëmshëm. Është gjithashtu një e keqe.

Kaosi, të vepruarit kuturu pa një orientim, është po ashtu një e keqe.

Pse duhen identifikuar të këqijat, përpara të mirave?!

Në rastin e vendit tonë, ky është një mekanizëm ’emergjence’ për të krijuar modifikimet e sistemit të qeverisjes.

Si duhen ndërthurur autoritarizmi dhe liria për të vendosur ekuilibrat në një shoqëri, e cila kërkon në një mënyrë kronike protagonizëm?

Sa shpesh tundohemi nga verbi ‘drejtor/e’, ‘ministër’, ‘kryetar/e’ etj pa e ditur aspak se çfarë kontributi kanë dhënë këta për shoqërinë, dhe pse janë aty ku janë.

Sa modele frymëzues janë për brezat e rinj? Sa realisht mund ta mbajnë një vizion, një ide, një ëndërr pa u dashuruar me pushtetin, duke qenë modestë – deri në ato kufij që iu shkon aftësive (si talente) por edhe vlerave njerëzore, që duhet të jenë pjesë e mirëqenë e lidershipit.

Njerëzit, tradicionalisht frymëzohen nga buonizmi (nuk po them ‘mirësia’, për t’i dhënë të njejtin kuptim, përmasën që i shkon për shtat Liderit).

Ne frymëzohemi nga njerëz zemërgjerë, më shumë se sa nga produkte akademike krejtësisht shabllon.

Frymëzohemi nga njerëz me humor, autoironikë, të ndërgjegjshëm, të thjeshtë, më shumë se sa nga cinikë dhe narcizë.

Për këtë arsye, edhe koncepti i demokracisë duhet modifikuar sipas evoluimit shoqëror (nëse mund ta quajmë kështu), duke mbajtur konstant fanatizmin për vërtetësinë dhe buonizmin.

 

 

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares