Op-ed

A janë shqiptarët gati për t’u futur në Bashkimin Europian? 

Nga  | 

Silvi Bakiri

A janë shqiptarët gati për t’u futur në Bashkimin Europian?
Shqipëria gjendet përballë një sfide të rëndësishme për sa i takon hapave drejt integrimit. Sfidë, e cila e bën çdo qytetar shqiptar, dhe duhet ta bëjë çdo politikan; të vjetër apo të ri, të reflektojë për të korrigjuar mendësitë e vjetra të politikëbërjes, çdo nuancë të tejzgjatur diktatoriale si edhe çdo qasje që bjerr shpresën e kujtdo, për të realizuar një jetë të përmbushur, veçanërisht në aspektin profesional (kujtojmë sloganin që po udhëheq tani që flasim SHBA-të: jobs, jobs, jobs; që do të thotë vende pune, vende pune, vende pune) e që mund ta përmbushë më lehtësisht jetën në të gjitha aspektet e tjera. Duke pasur më shumë vende pune, punohet më shumë dhe duke punuar vjen dëshira për punë. Ky është ekuacioni që funksionon pothuajse në çdo fushë të jetës së një studenti, punëtori, familjari apo profesionisti të lirë. Përkrahja reale dhe serioze në terma sasiorë – thënë ndryshe: në para, grante, fonde apo donacione i jep çdo individi: fëmijë, grua apo burrë një pjesë të rëndësishme motivimi që mund ta ndihmojë të bëjë përpara duke investuar më shumë e në të njejtën kohë duke i shërbyer edhe më mirë shoqërisë.
Por a jemi ne gati, si shqiptarë të pasurohemi duke zbatuar ligjet (me një farë rezerve për burokracitë e akoma më shumë për sistemet e ngurta, pa fleksibilitet dhe vetëbesim) për të ndjekur më pas natyrshëm rrugën drejt Bashkimit Europian? A jemi gati të shkëputemi një herë e mirë prej eksperiencave që kanë sjellë fiasko politike, politikave jovizionare ose me mungesë standardesh? A jemi gati të shkëputemi nga politika e dominuar prej gënjeshtrave, fake news-eve, banalitetit dhe etjes për show politik pa asnjë vullnet real për zgjidhje?
Këto janë pyetje të cilave çdo qytetar sadopak i ndërgjegjësuar duhet të di t’i përgjigjet. Këto janë pyetjet, përgjigjet e të cilave duhet t’i ketë tepër të qarta çdo i ri apo e re e forumeve rinore, çdo deputet, çdo ministër dhe përgjithësisht çdo politikan i interesuar për fatet e qytetarëve të vendit të vet!
Pyetja përmbyllëse gjithsesi mbetet: A i kanë të sipërpërmendurit përgjigjet e qarta kthjelltësisht, apo Shqipëria do vijojë të mbetet një qorrsokak pa identitet ku gatuhen veçse politika të huaja? Përtej Skëndërbeut, po them.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares