Letrart

Mesazhi i fundit i vajzës iraniane që u var

Nga  | 
26-vjeçarja që u ekzekutua të shtunën pasi ishte akuzuar për vrasjen e një burri, i cili u përpoq ta përdhunonte, i dërgoi nënës së saj një mesazh të fundit, në të cilin i kërkon që pas vdekjes, organet të shkojnë për dhurim. Reyhaneh Jabbari duket mjaft e qetë në mesazhin zanor që regjistroi për mamanë në prill; në këtë mesazh duket qartë se ajo tashmë i është nënshtruar plotësisht fatit të saj që kishte nisur të ishte në rreshtin e vdekjes për 5 vite me radhë. Aktivistët iranianë zbardhën mesazhin, sipas dëshirës së shprehur edhe nga Jabbari.

Jabbari ishte e bindur se vrasja e oficerit, i cili sipas saj e kishte thirrur për t’u këshilluar mbi arredimin e një ambienti të brendshëm, nuk ishte kryer nga ajo, por nga dikush tjetër. Ai u mundua ta përdhunonte dhe vajza e qëlloi me një stilolaps- thikë, por nuk pranoi se ishte ajo shkaktarja për vdekjen e tij, edhe pse u përpoq ta vriste. Në mesazhin e saj të fundit Jabbari tregon se, pavarësisht gjithçkaje, fati i saj ishte vulosur tashmë dhe dihej se do të përfundonte me vdekje.

Nënës sime:

“Atë natë kërcënuese ndoshta do të isha vrarë. Trupi im do të hidhej në ndonjë qoshe të qytetit dhe pas disa ditësh, policia do të të thërriste në zyrën e hetuesve për të më identifikuar dhe aty do të mësoje se përveç kësaj, edhe isha përdhunuar. Vrasësit nuk do të ishin gjendur kurrë meqë ne nuk kemi as pasurinë dhe as fuqinë e tyre. Më pas ti do të vazhdoje jetën duke vuajtur e turpëruar, dhe pas disa vitesh do të vdisje prej dhimbjes dhe gjithçka do të mbyllej këtu.

Megjithatë, pas kësaj goditjeje të mallkuar historia ndryshoi. Trupi im nuk u hodh diku mënjanë, por në varrin e Evin Prison dhe dhomën e tij të vetmuar, që sot është varri- burg i Shahr-e Ray. Por duhet t’i dorëzohesh fatit dhe të mos ankohesh. Ti e di mirë se vdekja nuk është fundi i jetës”.

Jabbari më pas kërkoi një nder të fundit nga nëna e saj: “Edhe një herë ty të duhet të vuash për shkakun tim. Është gjëja e fundit që edhe sikur ti të lutesh që të shpëtoj, unë nuk do të mërzitem edhe pse të kam thënë shumë herë që të mos përpiqesh të më shpëtosh nga ekzekutimi”.

Ajo nuk donte që organet e saj të shkonin dëm:

“Nuk dua të kalbem në tokë. Nuk dua që sytë apo zemra ime e re të kthehet në pluhur. Për këtë arsye, të lutem që sa më shpejt të kujdesesh që, pasi të varem; zemra, veshka, sytë, kockat dhe gjithçka që mund të transplantohet, të më shkëputen nga trupi dhe t’i jepen dikujt, të cilit mund t’i shërbejnë në formën e dhurimit. Nuk dua që marrësi i organeve ta dijë emrin tim, bli për mua një buqetë ose edhe thjesht lutu”.

1B8CD832-71C1-4EA4-BCE0-A5B1D4FF3FB4

Vazhdimi i mesazhit të plotë:

Kjo foto është realizuar më 8 korrik dhe tregon vajzën iraniane Reyhaneh Jabbari me duar në pranga, në zyrat qendrore të policisë, pasi u arrestua për vrasjen e një ish-oficeri të Shërbimit të Inteligjencës.

E dashur Sholeh,

Sot kuptova se është radha ime të përballem me Qisas (regjimi ndëshkues iranian). Jam e lënduar për faktin se ti nuk më bëre me dije që tashmë isha në faqen e fundit të librit të jetës sime. Nuk mendove se duhet ta dija këtë? Ti e kupton shumë mirë se sa e turpëruar jam për shkak të dhimbjes tënde. Pse nuk më dhe mundësinë që të puthja edhe një herë dorën tënde dhe të babit?

Bota më lejoi të jetoja për 19 vjet. Ti më mësove se kur vijmë në këtë botë duhet të kalojmë eksperienca, të mësojmë diçka të vlefshme pasi çdo ardhje në jetë është një përgjegjësi mbi shpatullat tona. Kam mësuar se ndonjëherë dikujt i duhet të luftojë më shumë. Më kujtohet kur më the se xhelati protestoi ndaj personit që më kamxhikoi, por ky i fundit, pas kësaj, e qëlloi xhelatin në fytyrë për vdekje. Më ke thënë se për të krijuar vlera duhet të këmbëngulësh edhe nëse të duhet të vdesësh për këtë.

Ti na ke mësuar se pasi shkollohesh, duhet të sillesh si lady përpara grindjeve dhe ankesave. E mban mend se sa herë e theksoje mënyrën se si duhet të sillemi?

Eksperienca jote nuk ishte e saktë. Pasi ndodhi ky incident, mësimet që kisha marrë nuk më ndihmuan fare. Kur isha e pranishme në gjykatë, u duka si një vrasëse gjakftohtë apo akoma më keq si një kriminele e pamëshirshme. Nuk qava, nuk u luta, sepse besova tek ligji.

Por duke bërë këtë, u ngarkova me faj meqë u tregova indiferente përballë krimit. E kupton, unë që nuk kam vrarë dot asnjë mushkonjë dhe edhe buburrecat i largoja nga antenat… Tani më kanë bërë një vrasëse me paramendim. Trajtimi i mirë ndaj kafshëve është interpretuar si prirje për të qenë ‘si djalë’ dhe gjykatësi as që u shqetësua të shihte faktin se në kohën kur ndodhi incidenti kisha thonj të gjatë e të lëmuar. Sa optimist paska qenë ai që paska pritur drejtësi nga një gjykatës i tillë! Ai nuk e vuri kurrë në dyshim faktin se duart e mia nuk ishin të trasha si ato të një vajze sportiste e aq më pak të një boksiereje. Dhe ky vend, tek i cili ju mbollët dashurinë time, ja që kurrë s’më paska dashur, kurrë s’më mbështeti askush kur gjatë sulmit me pyetje u kundërpërgjigja me lot dhe dëgjova mbrapsht vetëm fjalë vulgare.

Kur hoqa qafe dhe shenjën e fundit të bukurisë duke ruajtur kokën, u shpërbleva më 11 ditë izolimi.

E dashur Sholeh, mos qaj për atë që po dëgjon. Në ditën e parë kur isha në rajonin e policisë, një agjent i pamartuar më dhunoi për shkak të thonjve dhe aty e kuptova se bukuria nuk është ajo çfarë mund të më duhet më shumë në erën që jetoj. Bukuria e pamjes së jashtme, bukuria e mendimeve dhe dëshirave, një dorëshkrim i bukur, bukuria e syve, vizioni apo edhe thjesht dhe vetëm bukuria e një zëri të këndshëm.

Mama e dashur, ideologjia ime ka ndryshuar dhe ti nuk je aspak përgjegjëse për këtë. Fjalët e mia që nuk kanë fund… ia lashë dikujt të besuar, kështu që kur të jem ekzekutuar pa dijeninë dhe praninë tënde, do të të dorëzohen ty. Të kam lënë shumë materiale të shkruara si trashëgimi prej meje.

Megjithatë, përpara se të vdes dua diçka prej teje, diçka për të cilën duhet të kujdesesh në të gjitha mënyrat e mundshme. Në fakt, kjo është gjëja e fundit që dua nga kjo botë, ky vend dhe nga ti. E di që të duhet kohë për këtë, prandaj po ta shpjegoj pak më herët. Të lutem mos qaj, por dëgjo. Dua që të shkosh në gjykatë dhe t’ua përcjellësh atyre kërkesën time. Nuk mundem të shkruaj një letër brenda burgut sepse duhet që në fillim të aprovohet nga shefi i tij; pra edhe një herë duhet të vuash për shkakun tim…

Mamaja ime e dashur, e dashura ime Sholeh, më e shtrenjtë se vetë jeta ime, nuk dua të kalbem në tokë… (vijon si më lart).

Po të them nga thellësia e shpirtit që nuk dua të kem një varr që ti të mund të vish, të më vajtosh e të vuash… Nuk dua që të veshësh rroba të zeza për mua. Bëj më të mirën duke harruar ditët e mia më të vështira. Lëre erën të më marrë me vete…

Bota nuk na deshi. Dhe tani po dorëzohem e gjitha duke përqafuar vdekjen. Sepse në gjyqin e Zotit unë do t’u jap hakun përgjegjësve, do të ngarkoj me faje inspektorin Shamlou, do të ngarkoj me faj gjykatën, si edhe vetë vendin e Gjykatës Supreme, e cila më dënoi kur isha gjallë në vend që të më mbronte nga padrejtësia që m’u bë.

Në gjyqin e Krijuesit do të dënoj Dr. Farvandi, do të dënoj Qassem Shabanin dhe të gjithë ata, të cilët nga injoranca dhe gënjeshtra ku jetojnë, nëpërkëmbën të drejtat e mia dhe nuk i kushtuan asnjë kujdes faktit se diçka që duket si realiteti, në fakt mund të jetë shumë larg prej tij.

E dashur zemërbuta Sholeh, në botën e përtejme do të jemi unë dhe ti akuzueset dhe të tjerë të akuzuarit. Le të shohim atë që do Zoti. Dua të të përqafoj deri sa të vdes. Të dua.

Reyhaneh

*Përshtati në shqip: Silvi Bakiri

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shares